Home / Lajme / Kosova / Florin Aliu: Kontrolli i çmimit të naftës nuk duhet të jetë prioritet, reforma sociale më emergjente

Florin Aliu: Kontrolli i çmimit të naftës nuk duhet të jetë prioritet, reforma sociale më emergjente

Florin Aliu, doktor i Financave dhe pedagog asistent në UBT, ka komentuar ditën e sotme mbi propozimet për uljen e TVSH-së dhe akcizës në naftë, duke theksuar se kjo nuk garanton ulje të çmimit për konsumatorin.

Aliu, i cili ka përvojë të gjatë akademike në menaxhimin financiar dhe ekonominë politike, tha se politika e mëparshme e uljes së TVSH-së për produktet bazë në vitin 2016 nuk pati ndikim real në çmim, pasi përfitimet u transferuan tek kompanitë tregtare.

Ai argumentoi se e vetmja mënyrë efektive për të ulur çmimin e naftës në treg është përmes kontrollit të drejtpërdrejtë të çmimeve të shitjes, siç bëhet në tregun e energjisë përmes përcaktimit të marzhave të fitimit, transmeton Energy Monitor.

Megjithatë, Aliu vlerësoi se për momentin nuk ka nevojë për ndërhyrje, duke e konsideruar naftën si produkt luksi, dhe tregun e pompave të benzinës si mjaft konkurrues. Ai shtoi se fokusi i qeverisë duhet të jetë tek reforma sociale, duke adresuar problemet reale të familjeve në nevojë, dhe jo tek çmimi i derivatëve.

Komentet e Aliut vijnë ndërsa në Kosovë debatohet intensivisht për masat e mundshme për uljen e çmimeve të naftës. AAK ka kërkuar uljen e TVSH-së dhe akcizës për përballimin e çmimeve të larta, e bashkë me AAK edhe përfaqësues të LDK-së, ndërsa qeveria ka refuzuar ndërhyrjen, duke theksuar se efektet e politikave të tilla nuk garantojnë ulje reale, njofton Energy Monitor.

Shtetet fqinje, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë, tashmë kanë ndërmarrë masa për të ulur taksat mbi naftën, si përpjekje për të zbutur ndikimin e krizës në Lindjen e Mesme.

Në këtë kontekst, analistët dhe deputetët e opozitës vënë në dukje se ulja e akcizës do të ishte mënyra më efektive për të ulur çmimin e derivateve, ndërsa diskutimi mbi përcaktimin e marzhës së fitimit mbetet një element i debatit mbi konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com