Gjendja e jashtëzakonshme i jep qeverisë mundësinë të shpërndajë fonde për pajisje emergjente, të vendosë kufizime konsumi dhe të mbrojë infrastrukturën kritike.
Pas Filipineve, Moldavia është vendi i dytë që shpall gjendjen e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, por jo nga lufta në Iran, por për shkak të bombardimeve të Rusisë në Ukrainë.
Qeveria moldave shpalli një emergjencë 60-ditore në sektorin e energjisë, pas sulmeve me dronë në jug të Ukraine që shkaktuan shkëputjen e linjës kryesore të furnizimit elektrik, Isaccea–Vulcanesti.
Kryeministri Alexandru Munteanu akuzoi Rusinë si përgjegjëse për incidentin dhe njoftoi se autoritetet kanë aktivizuar katër linja ndërlidhëse me Romaninë për të ruajtur furnizimin, megjithëse situata mbetet e ndërlikuar.
Sergiu Diaconu, drejtori i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, bëri me dije se përpjekjet për të rilidhur linjën kanë dështuar për shkak të gabimeve teknike në elementët mbështetës të përçuesit. Aktualisht, furnizimi po mbahet përmes linjave alternative 110 kV dhe 330 kV, por këto zgjidhje mbulojnë vetëm një pjesë të kërkesës.
Gjendja e jashtëzakonshme i jep qeverisë mundësinë të shpërndajë fonde për pajisje emergjente, të vendosë kufizime konsumi dhe të mbrojë infrastrukturën kritike.
Kjo masë vjen pas një gjendjeje gatishmërie të shpallur më 4 mars, për shkak të tensioneve rajonale dhe paqëndrueshmërisë së tregut të energjisë.



