Tregu botëror i energjisë po përballet me një nga ndërprerjet më të ashpra në dekada, me mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit – një arterie vitale për 20 për qind të tregtisë botërore detare dhe të një të tretës të gazit të lëngshëm natyror në botë – teksa po vazhdon lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin.
Sulmet e koordinuara ajrore izraelite ndaj ndërtesave kyç të gazit të Iranit në Parsin Jugor dhe Asalujeh, si dhe sulmet hakmarrëse iraniane ndaj ndërtesave të energjisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Arabinë Saudite dhe Katar, kanë paralizuar lëvizjet e cisternave dhe përgjigja e tregut ka qenë dramatike.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit në 116.38 dollarë për fuçi më 19 mars, dhe çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën ndjeshëm, duke reflektuar mungesën e energjisë së qasshme fizikisht. Rritja marramendëse e çmimeve të gazit ka detyruar fabrikat e plehrave azotike dhe të uresë të ulin prodhimin pikërisht para sezonit të mbjelljeve, duke ndërprerë furnizimet dhe duke vënë shtetet në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine në rrezik të humbjeve të të korrave dhe mundësisë së përballjes me zi të bukës.
Në dritë të kësaj pasigurie të tregut, rëndësia strategjike e rezervave të energjisë të Kazakistanit dhe Turkemnistanit kurrë nuk ka qenë më e madhe.
Pavarësisht se gjenden në mes të luftës SHBA-Izrael me Iranin në jug, konfliktit Rusi-Ukrainë në veri dhe ndjejnë pasojat e sulmeve ajrore pakistaneze në Afganistan në juglindje, të dy shtetet posedojnë rezerva të konsiderueshme, që nëse përdoren, mund të lehtësojnë presionin ndaj tregjeve botërore.
Gazi turkmen: Një opsion për lehtësim të shpejtë përmes transportit rrugor
Turkmenistani zotëron rreth 19.5 trilionë metra kub rezerva të provuara të gazit natyror, kryesisht në fushën Galkinish, duke e bërë atë shtetin e katërt që ka rezervat më të mëdha në botë.
Pjesa më e madhe e eksporteve shkon drejt Kinës përmes gazsjellësit Azia Qendrore–Kinë (32–33 miliardë metra kub në vit). Sasi më të vogla shkojnë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit përmes sistemit Dolphin, ndërsa sasi të kufizuara kanë arritur së fundi në Turqi përmes Iranit në bazë të marrëveshjeve të këmbimit.
Lufta që përfshin Iranin ka ndalur shumicën e eksporteve rajonale jashtë Kinës, duke bërë që gazi i Turkmenistanit të mbetet kryesisht i kufizuar në gazsjellësit ekzistues. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, John Roberts, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën Globale të Energjisë të Këshillit të Atlantikut, shpjegoi se gazi i Turkmenistanit ofron një furnizim relativisht të shpejtë në krizën aktuale.
“Rreth një e pesta e gazit të lëngshëm natyror që tregtohet në botë vjen nga Katari. Kjo tani është ndalur. Nuk mund ta prodhosh gazin kur nuk ke rrugë eksporti për të”, tha ai. “Dhe, nuk ka gazsjellës që lidhin Katarin në mënyrë të konsiderueshme me destinacione të mëdha ndërkombëtare”.
Një sistem lokal shpërndarjeje, i quajtur Dolphin, furnizon Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin. Por, shtrirja e tij është e kufizuar, shtoi Roberts, duke theksuar se nevojitet një furnizim alternativ.
Teksa “zakonisht sigurimi i furnizimeve alternative kërkon vite për t’u zhvilluar”, tha Roberts, një zgjidhje është të shikohet nga Turkmenistani.
“Shumë shpejt, ai gaz mund të kalojë Detin Kaspik dhe të hyjë në një sistem të gatshëm eksporti, që është Korridori Jugor i Gazit, i cili u zhvillua për fushën e gazit Shah Deniz të Azerbajxhanit”, shpjegoi ai.
“Mund ta bësh shumë shpejt, dhe kjo është thelbi këtu, duke lidhur terminalet detare që prodhojnë gaz në Mari-Magdanli, që operohet nga Petronas, dhe fushat përreth në Azerbajxhan, si fusha e naftës Azeri-Çirag-Gunashli (ACG) që operohet nga BP, ose fusha e gazit Absheron që operohet nga TotalEnergies. Këto do të kërkonin vetëm, në rastin e parë, një gazsjellës prej 78 kilometrash, ndërsa në të dytin pak më shumë se 100 kilometra”.
Roberts tha se këto janë “zgjidhje lokale, të thjeshta që do të maksimizonin infrastrukturën ekzistuese”, duke shtuar se kompania shtetërore e naftës dhe gazit e Azerbajxhanit, SOCAR, “më tha rreth tre vjet më parë se mund ta bënin këtë brenda rreth katër ose pesë muajsh”.
E gjithë kjo do të mund të realizohej “shpejt”, tha Roberts.
Nafta e Kazakistanit: kufizimet infrastrukturore dhe mundësitë afatgjata
Përderisa Turkmenistani ofron një mundësi të shpejtë përmes transportit tokësor, sektori i naftës në Kazakistan përballet me pengesa strukturore afatgjata që kufizojnë lehtësimin e menjëhershëm.
Në një intervistë për Azattyk Azia të Radios Evropa e Lirë, Joseph Epstein, drejtor i Qendrës Turan për Studime Post-Sovjetike, vuri në pah kufizimet strukturore dhe gjeopolitike të sektorit të naftës në Kazakistan.
“Kriza tregon qartë se infrastruktura energjetike e Azisë Qendrore është ndërtuar për një realitet gjeopolitik që nuk ekziston më”, tha ai. “Çdo rrugë kryesore eksporti kalon përmes një vendi të përfshirë në luftë ose nën presion serioz – Rusia, Irani, ose rajone ku ato mund të ndikojnë në rrugët detare. Ky është një rrezik sistematik, jo diçka që zgjidhet me një gazsjellës të vetëm”.
“Kjo krizë është një pikë kthese strategjike, por nëse Azia Qendrore mund të përfitojë prej saj varet tërësisht nga vendimet për investime në infrastrukturë që do të merren në dy deri në tre vjetët e ardhshëm”.
Nafta e Kazakistanit ilustron kufijtë praktikë të shndërrimit të burimeve natyrore në lehtësim të menjëhershëm për tregun.
Kazakistani ka rreth 30 miliardë fuçi rezerva nafte, duke prodhuar rreth 1.4 milion fuçi në ditë. Rreth 80 për qind e eksporteve mbështeten në Konsorciumin e Gazsjellësit të Kaspikut drejt Novorusijsk.
Si Epstein ashtu edhe Roberts u pajtuan se ridrejtimi i naftës së Kazakistanit larg korridoreve të kontrolluara nga Rusia ose Irani do të kërkonte vite të tëra. Pjesa më e madhe e eksporteve të vendit mbështetet në Konsorciumin e Gazsjellësit të Kaspikut drejt terminalit në Detin e Zi në Novorosijsk, Rusi, një korridor që është shënjestruar vazhdimisht nga sulmet me dronë ukrainas që nga fundi i vitit 2025.
Po ashtu, ekziston një pengesë logjistike për diversifikim të shpejtë.
“Nuk mund ta çosh lehtë naftën nga Kazakistani në Baku, sepse nevojitet një gjeneratë e re cisternash”, tha Roberts. “Trafiku i cisterna në Detin Kaspik është veçse mjaft i ngarkuar. Një pjesë e naftës kazake tashmë transportohet përmes këtij sistemi. Po ashtu edhe nafta e Turkmenistanit që del në tregjet ndërkombëtare. Por, do të nevojitej një gjeneratë e re cisternash. Ka kapacitete në Kaspik për ndërtimin e cisternave, por sërish kjo është një projekt dy ose trevjeçar; jo diçka që mund të bëhet brenda natës”.
Në dritë të infrastrukturës së kufizuar dhe rrugëve të kufizuara të eksportit, vëmendja po përqendrohet gjithnjë e më shumë te dimensioni politik i bashkëpunimit energjetik, veçanërisht tek angazhimi në rritje i Turkmenistanit me Bashkimin Evropian.
Presidenti i Turkmenistanit, Serdar Berdymukhammedov, po përgatitet për një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërkohë që Parlamenti Evropian po e shqyrton ratifikimin e një marrëveshjeje partneriteti me BE-në, e cila ka qenë e bllokuar që një kohë të gjatë. Edhe pse një datë e saktë për vizitën ende nuk është caktuar, bashkëpunimi energjetik pritet të jetë në qendër të agjendës, krahas çështjeve më të gjera politike dhe ekonomike.
Vizita përfaqëson “një zhvillim të madh”, sipas Roberts. “Pyetja është nëse Komisioni Evropian dhe autoritetet turkmene mund të arrijnë një mirëkuptim se të dyja palët duhet të bëjnë ndryshime të mëdha në mënyrën se si iu qasen zhvillimit të projekteve të gazit?”.
Paralelisht me vizitën e presidentit në Bruksel, një forum Turkmenistan–BE është planifikuar për 26 mars në Ashgabat, i organizuar bashkërisht nga BE-ja, Turkmenistani dhe Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, dhe mbledh politikanë dhe udhëheqës biznesi me qëllim që të forcohet bashkëpunimin në fushën e energjisë, transportit dhe rritjes së qëndrueshme./REL



