Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria lehtëson procedurat, njihen licensat në energjetikë nga vendet e BE

Shqipëria lehtëson procedurat, njihen licensat në energjetikë nga vendet e BE

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri ka propozuar një paketë të gjerë ndryshimesh në rregulloren për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin, njohjen dhe heqjen e licensave në sektorin e energjisë elektrike, me synim lehtësimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe përafrimin me praktikat ndërkombëtare.

Ndryshimet prekin një sërë nenesh kyçe të rregullores së miratuar në 2016-ën, duke filluar nga përcaktimet për licensimin e subjekteve që operojnë në tregun e energjisë.

Një ndër risitë kryesore është njohja e licensave të lëshuara nga autoritetet rregullatore të vendeve të tjera të Komunitetit të Energjisë, vendeve të Bashkimit Evropian apo shteteve me të cilat Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe, mbi bazën e reciprocitetit.

Në këto raste, shoqëritë nuk do të kenë nevojë të riaplikojnë për licensim në Shqipëri, por duhet të depozitojnë dokumentacionin përkatës të përkthyer dhe të noterizuar.

Rregullorja e re parashikon gjithashtu standardizim dhe digjitalizim të dokumentacionit të aplikimit, duke kërkuar që çdo aplikim të dorëzohet edhe në format elektronik, ndërsa dokumentet duhet të jenë të përditësuara, jo më të vjetra se një muaj nga data e aplikimit. Në rastet kur subjektet janë në proces të pajisjes me leje të tjera të nevojshme, atyre u jepet mundësia të aplikojnë paraprakisht duke paraqitur provat e aplikimit apo komunikimit me institucionet përkatëse.

Në aspektin e dokumentacionit ligjor dhe financiar, ndryshimet kërkojnë transparencë më të madhe mbi burimet e financimit të projekteve, veçanërisht për prodhimin e energjisë elektrike, ku kërkohet të provohet mbulimi i plotë i investimit. Për aktivitetet e tregtimit dhe furnizimit, subjektet duhet të garantojnë mbështetje financiare për të paktën një muaj operim, bazuar në çmimet e tregut të energjisë.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me kërkesat mjedisore dhe teknike, ku për projektet fotovoltaike dhe eolike kërkohet dokumentacion që vërteton jetëgjatësinë e impianteve. Ndërkohë, për hidrocentralet dhe termocentralet, kërkohet leja për përdorimin e burimeve ujore dhe dokumentacioni përkatës mjedisor.

Procedurat e shqyrtimit të aplikimeve janë bërë më të strukturuara dhe me afate të qarta. ERE do të njoftojë aplikuesit për mangësi në dokumentacion brenda tre ditëve, ndërsa subjektet kanë dy ditë kohë për plotësime. Gjithashtu, parashikohet publikimi i detyrueshëm i aplikimeve në faqen zyrtare dhe në median e shkruar, si dhe një periudhë 30-ditore për paraqitjen e kundërshtimeve nga palët e interesuara.

Sa i përket vendimmarrjes, bordi i ERE-s do të shprehet brenda 60 ditëve pune për centralet e lidhura me rrjetin e transmetimit dhe brenda 30 ditëve për rastet e tjera. Vendimet publikohen në Fletoren Zyrtare dhe në faqen zyrtare të institucionit, ndërsa palët kanë të drejtë të kërkojnë rishikim brenda 7 ditëve ose të ndjekin rrugën gjyqësore.

Ndryshimet prekin edhe procedurat për modifikimin, rinovimin dhe transferimin e licensave, duke unifikuar afatet dhe kërkesat dokumentare. Për herë të parë, saktësohen edhe rregullat për regjistrin e licensave, i cili do të përditësohet pas çdo mbledhjeje të bordit dhe do të publikohet online, duke përfshirë të dhëna të detajuara për subjektet e licensuara. /j.p

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com