Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se furnizimi i përkohshëm i bizneseve me energji elektrike, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), do të përfundojë më 30 korrik 2025.
Ky furnizim ishte aktivizuar për një periudhë 60-ditore, duke filluar nga 1 qershori, për të siguruar vazhdimësi për konsumatorët komercialë që ende nuk kanë nënshkruar kontrata me ndonjë furnizues të licencuar në tregun e hapur.
KEK, në përputhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka theksuar se pas kësaj date nuk do të ketë më kompetencë për furnizim, dhe se konsumatorët në këtë kategori duhet urgjentisht të lidhen me një furnizues të ri për të garantuar vazhdimësinë e energjisë.
“Pas datës 30.07.2025, nëse nuk keni lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE, do të mbeteni automatikisht pa furnizim me energji elektrike,” thuhet në njoftimin zyrtar të KEK-ut.
Furnizimi nga FMF aplikohet ndaj bizneseve që sipas rregullores së tregut kanë dalë në treg të lirë të energjisë për shkak të madhësisë së tyre – zakonisht ato me mbi 50 të punësuar ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor – por që nuk kanë lidhur ende marrëveshje me ndonjë operator tregtar.
ZRRE ka publikuar listën e furnizuesve të licencuar në faqen zyrtare të institucionit www.ero-ks.org, ku kompanitë mund të drejtohen për të zgjedhur ofertuesin që u përshtatet më mirë.
Ky njoftim vjen në një moment kur tregu i energjisë në Kosovë është në fazën e tranzicionit nga modeli i furnizimit universal drejt një strukture të liberalizuar, ku kompanitë janë përgjegjëse të zgjedhin vetë burimin e furnizimit të energjisë, përmes marrëveshjeve komerciale me operatorët e licencuar.