Nga 20 konsumatorë që kishin marrë autorizimin për projekte të tilla në vitin 2019, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej gjysmë megavati, në vitin 2024 rreth 671 konsumatorë u autorizuan, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej rreth 13.56 megavatësh.
Të dhënat e fundit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) tregojnë një rritje të qëndrueshme të interesimit dhe të implementimit të projekteve të vetë-konsumit nga ana e bizneseve dhe individëve në vend.
Gjatë këtij viti, ZRrE ka trajtuar një numër të lartë kërkesash për marrjen e statusit të konsumatorit prodhues për vetë-konsum, duke lejuar vazhdimin e ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese në përputhje me Rregullën e Autorizimit dhe Skemën Mbështetëse, mëson Energy Monitor.
ZRRE licencon dy kompani të reja për tregtim të energjisë elektrike dhe miraton 25 projekte për vetë-konsum
Sipas kësaj rregulle, çdo konsumator i energjisë elektrike, i lidhur në rrjetin e shpërndarjes ose transmisionit, ka të drejtë të bëhet prosumator – pra konsumator që edhe prodhon për nevojat e veta përmes burimeve të ripërtëritshme.
Rritje më shumë se 25 herë brenda pesë viteve
Të dhënat tregojnë një trend të qartë rritës: nga vetëm 20 aplikantë në vitin 2019 me një kapacitet të instaluar prej 507.5 kW, numri është rritur në 671 vendime të miratuara në vitin 2024, me një kapacitet total prej 13,560 kW – që përbën një rritje më shumë se 25-fish në kapacitetin e instaluar brenda vetëm pesë viteve.
Pothuajse çdo vit është shënuar dyfishim ose trefishim krahasuar me vitin paraprak, veçanërisht pas vitit 2022 kur ritmi u përshpejtua ndjeshëm, raporton Energy Monitor, bazuar në të dhënat e publikuara në raportet vjetore të ZRRE.

Në vitin 2023, kapaciteti i miratuar kishte arritur 1.61 MW me vetëm 66 vendime, ndërsa në vitin 2022 ishin 117 vendime me 4.2 MW, gjë që tregon se jo vetëm numri i aplikimeve, por edhe shkalla e projekteve ka ndryshuar ndjeshëm.
Opsionet brenda dhe jashtë skemës mbështetëse
Këta konsumatorë mund të zgjedhin të jenë pjesë e Skemës Mbështetëse për vetë-konsum, ku përfitojnë nga mekanizmi i Faturimit Neto.
Në këtë rast, ata nënshkruajnë kontratë me furnizuesin përkatës, i cili është i obliguar të ofrojë marrëveshje për prosumatorët.
Njëkohësisht, ZRrE parashikon edhe skenarë jashtë kësaj skeme, ku konsumatori mund të shesë energjinë tepricë përmes marrëveshjeve të ndërsjella me furnizuesit, me kusht që të jenë të përmbushura kriteret teknike dhe ligjore, përfshirë menaxhimin e sasisë së energjisë së papërdorur.
Pagesa e tarifës dhe ndikimi në sistem
Në të dy rastet, prosumatorët duhet të kontribuojnë në mbulimin e kostove të ndikimit në sistem, përmes pagesës së një tarife të veçantë që aplikohet për të gjithë, pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e Skemës Mbështetëse.
Kjo masë synon të sigurojë balancimin e drejtë të ndikimit të tyre në rrjetin energjetik dhe në koston e përgjithshme të sistemit.
Përveç kësaj, operatorët e rrjetit janë të detyruar të përshtatin infrastrukturën për të garantuar operim të sigurt dhe integrim teknik të kapaciteteve të reja gjeneruese, mëson Energy Monitor.
Prosumatorët, nga ana tjetër, duhet të përmbushin kërkesat për cilësinë e energjisë, të përcaktuara sipas kodeve teknike të rrjetit dhe standardeve të miratuara nga ZRrE.
Të dhënat për prodhimin dhe konsumimin e energjisë nga këto burime duhet t’i dorëzohen rregullatorit nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.
Projekti i ndërtimit të kapaciteteve për vetë-konsum parashihet të realizohet brenda afateve dinamike të përcaktuara për çdo investim, sipas kushteve të lidhjes teknike dhe planit të miratuar nga ZRrE.
Institucioni ka bërë të ditur se ka pranuar edhe kërkesa të tjera nga persona fizikë dhe juridikë, të cilat aktualisht janë në fazë të shqyrtimit dhe, pas kompletimit të dokumentacionit, do të mund të vazhdojnë me ndërtimin e kapaciteteve të reja.
Rritja e numrit të prosumatorëve në Kosovë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt decentralizimit të prodhimit të energjisë dhe një sinjal pozitiv për integrimin e burimeve të ripërtëritshme në mënyrë më të qëndrueshme në sistemin energjetik të vendit.
/Energy Monitor