Home / Highlights / Çalık Enerji siguron financim prej 112 milionë euro për parkun e erës në Zatriq të Kosovës

Çalık Enerji siguron financim prej 112 milionë euro për parkun e erës në Zatriq të Kosovës

Kompania turke Çalık Enerji, pjesë e konglomeratit Çalık Holding, ka siguruar një financim prej 112 milionë euro për realizimin e projektit të saj të parë të energjisë së erës jashtë Turqisë – parkun e erës në Zatriq, Kosovë. Ky projekt ka një kapacitet të planifikuar prej 73 megavatësh (MW) dhe është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në rajon.

Ky financim është një arritje e rëndësishme për Çalık Enerji, pasi është investimi i parë i Çalık Renewables në energji të rinovueshme jashtë Turqisë dhe projekti i parë i energjisë së erës i mbështetur nga Shërbimi Zviceran për Sigurimin e Riskut të Eksportit (SERV).

Në bashkëpunim me kompaninë tjetër turke Limak, Çalık Holding mori në administrim Kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Kompaninë e Furnizimit me Energjisë Elektrike të Kosovës (KESCO) në vitin 2013. Ky projekt i ri me energji të erës është një hap i natyrshëm në zgjerimin e aktivitetit të tyre në prodhimin e energjisë elektrike.

Financimi është siguruar nga banka gjermane Landesbank Hessen-Thüringen Girozentrale (Helaba), me seli në Frankfurt, dhe nga Deutsche Bank, me mbështetje nga Sigurimi Japonez i Eksportit dhe Investimeve (NEXI). Ky paketë financimi përfshin një periudhë ndërtimi dhe një periudhë tjetër prej 14 vjetësh, si dhe një segment komercial pa mbulim sigurie.

Për realizimin e këtij projekti, Çalık Enerji ka bashkëpunuar me prodhuesin e turbinave të erës GE Vernova. Lokacioni i projektit, Zatriq, një fshat në komunën e Rahovecit, është zgjedhur për shkak të potencialit të lartë të erës – ndër më të lartët në Kosovë.

Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë në Kosovë dhe kontribuon në objektivat e vendit për të rritur kapacitetet e energjisë së rinovueshme deri në 1,600 MW deri në vitin 2031.