Home / Lajme / Kosova / Çmimet në bursat e energjisë në rritje: ALPEX me nivelin më të lartë në rajon

Çmimet në bursat e energjisë në rritje: ALPEX me nivelin më të lartë në rajon

Tregjet ditore të energjisë në Evropën Juglindore më 26 qershor shënuan rritje të ndjeshme të çmimeve ndërsa bursa shqiptare ALPEX ka regjistruar çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon për datën 26 qershor, me 143.01 euro/MWh.

Bursa shqiptare ALPEX ka regjistruar çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon për datën 26 qershor, me 143.01 euro/MWh. Çmimet ishin ndjeshëm më të larta se mesatarja e tregjeve të tjera si HUPX (118.40 €/MWh), SEEPEX (120.92 €/MWh), dhe IBEX në Bullgari (113.19 €/MWh).

Në bursën ALPEX në Shqipëri, çmimi mesatar arriti në 143.01 euro/MWh – më i larti në rajon. Në krahasim me ditën e mëparshme, kjo përfaqëson një rritje prej +0.4%, ndërkohë që krahasuar me javën e kaluar, rritja ishte plot 24.61 euro, raporton Energy Monitor.

Rritje të forta u regjistruan edhe në bursat e SEEPEX (Serbi) me 120.92 euro/MWh dhe CROPEX (Kroaci) me 117.78 euro/MWh. HUPX (Hungari) shënoi +14.2 euro në një ditë, duke arritur në 118.4 euro/MWh.

Analistët e tregut lidhen këtë lëvizje me temperaturat në rritje, konsumin në rritje gjatë verës, si dhe prodhimin më të ulët nga fotovoltaikët për shkak të ndërprerjeve të përkohshme ose motit me re.

Ndryshe, tregjet rajonale po përballen me luhatje të mëdha ditore, me diferenca të mëdha midis çmimeve në orët e pikut dhe ato të natës.

Për shembull, në HUPX, çmimi minimal për datën 26.06 ishte vetëm 13.9 €/MWh, ndërsa maksimalja arriti në 248.8 €/MWh, duke treguar një treg shumë të paqëndrueshëm dhe të ndjeshëm ndaj luhatjeve të prodhimit dhe konsumit.