Ukraina ka shënuar një fitore të rëndësishme ligjore në përballjen me gjigandin rus të energjisë, Gazprom. Kompania shtetërore ukrainase, Naftogaz, ka fituar 1.37 miliardë dollarë në një çështje arbitrazhi ndërkombëtar që lidhet me pagesat e papaguara për tranzitin e gazit natyror.
Vendimi u mor më 20 qershor në Zvicër nga një panel ndërkombëtar përbërë nga ekspertë nga Suedia, Zvicra dhe Izraeli. Pagesa përfshin tarifat për volumin e prenotuar të tranzitit, penalizimet për mospagim dhe shpenzimet ligjore të Naftogaz.
Kompania ukrainase ka njoftuar se do të kërkojë zbatimin e menjëhershëm të vendimit, dhe në rast të mospagimit nga Gazprom, do të kërkojë sekuestrimin e aseteve jashtë vendit.
Marrëveshja për tranzit gazi u nënshkrua në fund të vitit 2019, por Gazprom nisi të shkelte detyrimet e saj në maj 2022, vetëm tre muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë. Naftogaz pretendon se Gazprom nuk ka respektuar klauzolën “take-or-pay”, që kërkon pagesë për volumin e prenotuar, pavarësisht sasisë së përdorur realisht.
Ky vendim vjen ndërkohë që Naftogaz po ndjek edhe një rast tjetër arbitrazhi me kërkesë për 5 miliardë dollarë lidhur me humbjen e aseteve në Krime pas aneksimit rus në vitin 2014.