Home / Lajme / Rajoni / Serbia përgatitet për fazën testuese të parkut të parë të erës nën pronësi shtetërore

Serbia përgatitet për fazën testuese të parkut të parë të erës nën pronësi shtetërore

Parku i parë për prodhimin e rrymës nga era në pronësi të kompanisë shtetërore EPS në Serbi, me kapacitet 66 MW, pritet të hyjë në fazën testuese këtë vjeshtë.

Ministrja e Energjisë Dubravka Djedovic konfirmoi se të gjitha 20 turbinat tashmë janë instaluar në Kostolac, ndërsa po përfundohet lidhja me rrjetin dhe ndërtimi i nënstacionit.

Zona ku është ndërtuar parku eolik dikur ishte një terren i mbetjeve minerare dhe tani po shndërrohet në qendër për prodhim të energjisë së pastër. Po në të njëjtën zonë, do të lidhet së shpejti me rrjetin edhe centrali diellor Petka me kapacitet 10 MW.

Serbia synon që deri në vitin 2030 të sigurojë 45% të prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme. Kjo do të përforcohet me ndërtimin e HEC-it me pompim Bistrica dhe integrimin e 1 GW kapacitet diellor dhe 200 MW bateri deri në vitin 2028.