Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar sot ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike nga burime fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në fshatin Taç Lartë, bashkia Kolonjë, qarku Korçë.
Projekti do të ndërtohet nga kompania shqiptare “Fortis Energy and Construction” sh.p.k., dhe nuk është pjesë e ndonjë kontrate koncesionare apo skeme mbështetëse.
Sipas vendimit, impianti fotovoltaik do të ketë një kapacitet të instaluar prej 62 MW dhe pritet të përfundojë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, që hyn menjëherë në fuqi dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare. Afati i operimit të centralit është parashikuar të jetë 49 vjet.
Energjia e ripërtëritshme, Balluku: Shqipëria, një ndër vendet më tërheqëse për investimet e huaja
Gjatë fazës së ndërtimit dhe operimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje të rregullt çdo tre muaj, për të siguruar përputhshmëri me dokumentacionin teknik dhe standardet përkatëse. Kompania ka detyrimin të raportojë rregullisht progresin, të respektojë autorizimet mjedisore dhe të dorëzojë një garanci kontraktuale prej jo më pak se 5% të vlerës së investimit.
Gjithashtu, në kuadër të detyrimeve financiare ndaj shtetit, kompania do të japë falas 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose ekuivalentin e saj në vlerë monetare, të cilat do të derdhen në buxhetin e shtetit si formë royalty.
Vendimi u propozua nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, në mungesë të Kryeministrit Edi Rama. Autoritetet presin që ky projekt të sjellë përfitime për sektorin energjetik dhe të kontribuojë në objektivat kombëtare për energji të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm.