Më 20 qershor 2025, për herë të parë në historinë e Bullgarisë, burimet fotovoltaike prodhuan më shumë energji elektrike sesa konsumoi vendi në një periudhë të shkurtër kohe – një ngjarje që tregon përparimin e madh në tranzicionin energjetik të saj.
Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit të Energjisë (ESO) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë (ENTSO-E), mes orës 10:00 dhe 11:00, prodhimi nga sistemet fotovoltaike arriti në 2,935 megavat, krahasuar me konsumin që ishte 2,917 megavat. Gjatë orës në vijim, prodhimi diellor u rrit në 3,230 megavat, duke tejkaluar kërkesën për 313 megavat. Prodhimi i përgjithshëm i energjisë në vend gjatë këtyre orëve luhatej nga 6,567 në 6,736 megavat, çka mundësoi edhe eksport të energjisë së tepërt.
Megjithatë, një pjesë e kësaj energjie nuk u tregtua në bursë, pasi disa konsumatorë kanë kontrata afatgjata me centralet ekzistuese si Kozloduj, apo me operatorin shtetëror të energjisë NEK.
Sipas Meglena Rusenovës, kryetare e Asociacionit Bullgar të Fotovoltaikës, kjo është një arritje e rëndësishme për sistemin energjetik të Bullgarisë, që forcon besimin e investitorëve dhe tregon se fotovoltaikët mund të jenë shtylla kryesore e furnizimit me energji elektrike. Ajo theksoi gjithashtu ndikimin pozitiv të energjisë diellore në uljen e çmimeve të energjisë në bursën bullgare (IBEX).
Vetëm gjatë tre viteve të fundit, Bullgaria ka shtuar rreth 3.5 gigavat kapacitet të ri fotovoltaik, duke arritur një total prej rreth 4.7 gigavatësh të instaluar. Parashikimet tregojnë se në muajt e pranverës dhe të vjeshtës, gjatë orëve të pikut, energjia diellore mund të mbulojë deri në 70% të kërkesës së brendshme.
Kjo ngjarje historike për Bullgarinë vërteton se, me politika të qëndrueshme dhe investime të duhura, energjia e pastër jo vetëm që është e mundur, por edhe më se reale në praktikë.