Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar një sërë mangësish serioze në menaxhimin dhe evidentimin e pasurive nga ana e Ndërmarrjes për Sistemin, Transmetimin dhe Tregun e energjisë elektrike – KOSTT.
Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të KOSST-it për vitin 2024 vlerëson se ndërmarrja nuk ka kryer rivlerësime të pasurive për më shumë se dy dekada, që nga ndarja nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) më 2005.
“Meqenëse KOSTT ishte ndarë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në vitin 2006, gjatë këtij procesi ndërmarrjes iu transferuan pasuritë e nevojshme për funksionimin e saj të pavarur. Regjistrimin e tyre në regjistrat kontabël ndërmarrja e kishte bërë me vlerat e tyre neto ashtu siç i janë dorëzuar nga KEK”.
“Zërat e ndërtesave, impianteve dhe pajisjeve në regjistrat e KOSTT-it ishin prezantuar me vlerat fillestare të pasurive (minus zhvlerësimi i akumuluar) të vlerësuara nga një konsulent i pavarur në kohën e shndërrimit nga një Korporatë në një Shoqëri Aksionare më datë 1 Janar 2005. Nga ajo periudhë ndërmarrja nuk kishte bërë tutje ri-vlerësimin e pasurive”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditimi vë në pah se KOSTT posedon mbi 4 mijë e 400 pasuri të zhvlerësuara plotësisht, me një kosto historike prej mbi 62 milionë euro, të cilave nuk u është bërë rivlerësim për të reflektuar vlerën reale në pasqyrat financiare.
“417 prej tyre nuk kanë pasur fare kosto historike të regjistruar – përfshirë 38 parcela toke, 10 ndërtesa, 26 rrugë dhe qindra pajisje teknike”.
Një tjetër gjetje shqetësuese sipas ZKA-së ka të bëjë me pasuritë e paluajtshme të trashëguara nga KEK për të cilat akoma nuk është përcaktuar qartë statusi pronësor.
“Në regjistrat kontabël të pasurive janë të përfshira 50 parcela të tokës të trashëguara nga KEK, mirëpo sipas dëshmive të ndërmarrjes nuk është i definuar statusi pronësor për të gjitha pronat e trashëguara”.
Përveç kësaj, 100 ndërtesa të regjistruara në sistemin e KOSST-it përfshirë njësi banesore, nuk kanë status të qartë – disa ndodhen në prona që nuk janë të ndërmarrjes, të tjerat nuk janë në përdorim fare, megjithatë figurojnë si pasuri.
“Përveç objekteve që ndodhen në Komunën e Obiliqit, të gjitha ndërtesat e trashëguara nga KEK-u të cilat ndërmarrja i kishte të regjistruara në regjistrin e pasurive, nuk e kanë të rregulluar statusin pronësor. Ato nuk figurojnë të regjistruara si pronë e ndërmarrjes në regjistrat përkatës kadastral, por konsiderohen si të tilla vetëm mbi bazën se toka ku ndodhen është në pronësi të ndërmarrjes”.
“Tetë ndërtesa të regjistruara në regjistrin e pasurive, janë në shfrytëzim nga ndërmarrja, por as ndërtesat dhe as tokat në të cilat ato ndodhen nuk janë në pronësi të ndërmarrjes”.
Menaxhmenti i ndërmarrjes KOSST është pajtuar me gjetjet e aludimit, ndërsa Zyra e Auditimit ka rekomanduar që Bordi i Drejtorëve të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rivlerësimin e pasurive dhe përditësimin e të dhënave, me qëllim që pasqyrat financiare të reflektojnë gjendjen reale dhe ligjore të pronave.
/Albanianpost