Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë vend, Belinda Balluku, deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit energjetik, duke u bazuar në investime të qëndrueshme, reformim të tregut dhe rritje të kapaciteteve prodhuese dhe transportuese.
Sipas saj, këto zhvillime kanë sjellë jo vetëm siguri energjetike, por edhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, përmes uljes së ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, shkruan “ATSH”.
Gjatë një takimi me krerë të institucioneve në varësi të ministrisë, mbi arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik, Balluku theksoi se Shqipëria është shndërruar në një vend gjithnjë e më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë në sektorin e energjisë së pastër, të cilët po ndërtojnë parqe fotovoltaike dhe eolike në disa zona të vendit.
Energjia e ripërtëritshme, Balluku: Shqipëria, një ndër vendet më tërheqëse për investimet e huaja
Sipas saj, kjo prurje investimesh lidhet ngushtë me reformimin e vazhdueshëm të sektorit dhe krijimin e një klime të favorshme për bizneset.
Ajo theksoi se sistemi elektroenergjetik shqiptar po përjeton një transformim rrënjësor, duke e orientuar vendin drejt tregjeve të liberalizuara të furnizimit dhe prodhimit, një hap i rëndësishëm në rrugën drejt standardeve europiane.
Një ndër objektivat madhorë të qeverisë, theksoi ministrja Balluku, është që deri në vitin 2030, Shqipëria të bëhet një eksportuese neto e energjisë elektrike, me fokus të veçantë tek energjia e rinovueshme.
Energjia, shtoi ajo, nuk është më vetëm një shërbim për qytetarët, por një aset kombëtar që krijon vlerë ekonomike dhe siguri strategjike për të ardhmen.
Zv/kryeministrja Balluku vuri në dukje se zhvillimi i qëndrueshëm nuk ka ardhur vetëm nga investimet, por edhe nga performanca e lartë e kompanive publike, si “OSHEE Group”, që në vitin 2024 shënoi fitim prej 7.3 miliardë lekësh. Këto të ardhura janë reflektuar në përmirësimin e shërbimit, investime në rrjet dhe mundësi për ulje të tarifave për konsumatorët, nga e cila qytetarët përfitojnë rreth 100 milionë euro në vit.
Më tej, ajo tha se Bashkimi Europian ka vlerësuar reformat e deritanishme, duke hapur rrugën për negociatat në Kapitullin 4, që përfshin agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme me sistemet europiane të energjisë.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se së shpejti do të hidhet për konsultim publik Ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, i cili synon modernizimin e mëtejshëm të tregut dhe garantimin e konkurrencës së ndershme, në përputhje me standardet e BE-së.
Shqipëri: Këshilli i ministrave miraton ndërtimin e projektit solar në Kolonjë