Rritja e fundit e çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë me një mesatare prej 16% për konsumatorët familjarë dhe biznese ka shkaktuar një efekt zëngjiror në të gjithë ekonominë. Nga furrat e bukës deri te kafet e lagjes, qytetarët po përballen me shtrenjtimin e përditshëm të jetesës.
Në fund të prillit 2025, një bar në “Sheshin Nënë Tereza” në Prishtinë faturonte një macchiato të madh me 2 €, ndërsa një American coffee me 1.80 € Arsyeja: rritja e kostove operative, përfshirë faturat e rritura të energjisë.
Po ashtu, si pasojë e energjisë më të shtrenjtë: Çmimet e bukës në disa furra u rritën nga 0.60 € në 0.80€, Një makiato tani fillon në 1.30–1.50 € për versionet standard, shkruan Front Online.
Në një vend ku paga mesatare rreth 550 € është standardi, çdo rritje e çmimeve—sidomos e energjisë—ndikon fort në ekonominë e përditshme të familjeve.
Ish-ministri Shatri: Tregtarët po përfitojnë nga mungesa e kontrollit të çmimeve
Haki Shatri, ish-ministër i ekonomisë, ka vlerësuar se rritja e çmimeve në Kosovë ka prekur kryesisht produktet ushqimore, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
“Çmimet që janë rritur janë kryesisht të produkteve ushqimore. Këto kanë pësuar një ngritje të theksuar dhe janë reflektuar direkt në standardin jetësor të qytetarëve’’, deklaroi Shatri për Front Online.
Shatri thekson se përveç ndikimit të energjisë, një pjesë e rritjes së çmimeve vjen edhe nga faktorë të jashtëm si importi, doganat dhe tarifat shtesë.
“Rritja e çmimit të artikujve vjen edhe nga importi, doganat, tarifat dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në ngritjen e çmimit’’, thotë ai.
Sipas tij, në mungesë të një mbikëqyrjeje efektive institucionale, tregtarët po e shfrytëzojnë situatën për përfitime personale.
“Tregtarët po e shfrytëzojnë këtë mjegull të krijuar nga mungesa e pushtetit. Kur nuk ka kontroll, ata veprojnë sipas interesit të tyre’’, tha ish ministri Shatri.
Ai shton se, ndonëse në kategori të tjera nuk ka pasur ndryshime të mëdha, artikujt ushqimorë janë dukshëm më të shtrenjtë.
“Për çmimet tjera nuk ka ndryshime të mëdha, por sa i përket ushqimit, po – aty shihet qartë rritja’’, përfundoi ai.
Muhaxheri: Industria përpunuese, ushqimet dhe ndërtimtaria, më të goditurat nga rritja e energjisë
Arton Muhaxheri, njohës i çështjeve të ekonomisë, ka vlerësuar se rritja e tarifave të energjisë elektrike ka filluar të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekonominë reale, duke goditur njëkohësisht bizneset dhe konsumatorët.
“Kostoja e energjisë është kthyer në një faktor destabilizues për ekonominë. Ajo po ndikon në çmime më të larta për produktet dhe shërbimet bazike, të cilat i ndjen çdo qytetar në jetën e përditshme’’,
Sipas tij, më të prekurit janë sektorët që varen nga energjia për funksionim të përhershëm, sidomos ata që lidhen me prodhimin dhe shërbimet teknike.
“Industria përpunuese, përpunimi i ushqimeve, ndërtimtaria dhe shërbimet që përdorin kapacitete të larta elektrike janë ndër më të goditurat. Disa prej tyre tashmë po kufizojnë prodhimin, ndërsa të tjerë po paralajmërojnë reduktime të stafit’’,
Ai veçon se ndikimi nuk ndalet vetëm te bilancet financiare të kompanive, por përhapet në gjithë shoqërinë.
“Produktet më të ndjeshme janë ato që kalojnë nëpër zinxhir të gjatë prodhimi ose që kërkojnë ruajtje të vazhdueshme. Çmimi i tyre po rritet dita-ditës’’, deklaroi Muhaxheri.
Bellaqa: Rryma e shtrenjtë po dobëson fuqinë blerëse
Jakup Bellaqa, njohës i ekonomisë, ka vlerësuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazike, veçanërisht atyre të domosdoshme për jetesën.
“Energjia është një input thelbësor që ndikon në mënyrë zinxhirore në çmime, sidomos për produktet jo elastike, siç janë ushqimet bazike’’, tha Bellaqa.
Sipas tij, më të prekurat janë produktet ushqimore të domosdoshme, përfshirë mishin, nënproduktet e tij, qumështin, gjalpin, çajin dhe kafen.
“Industria ushqimore dhe ajo e ndërtimtarisë janë dy nga sektorët më të ndjeshëm ndaj kësaj rritjeje, për shkak të përdorimit intensiv të energjisë, si në prodhim, ashtu edhe në përpunim apo ruajtje’’, deklaroi ai.
Bellaqa thekson se rritja e kostove operacionale ndikon veçanërisht te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme prodhuese.
“Ndërmarrjet prodhuese e pësojnë më shumë, pasi rritja e shpenzimeve operacionale përkthehet drejtpërdrejt në çmime më të larta në treg’’, thotë Bellaqa.
Ai paralajmëron se në fund, barrën më të madhe e ndjen konsumatori i zakonshëm.
“Kjo dobëson fuqinë blerëse të qytetarëve, e rëndon ekonominë familjare dhe prish zinxhirin e furnizimit’’, përfundoi ai.
/Front Online