Mehmet Gjata, gazetar që ka mbuluar sektorin e energjetikës me vite, ka dhënë një vlerësim për krizën aktuale të furnizimit me energji elektrike në Kosovë, duke e cilësuar atë si një gjendje të rëndë të ndërtuar për vite të tëra mbi mungesën e investimeve strukturore dhe paaftësinë për të reformuar sistemin energjetik.
Sipas Gjatës, kriza nuk është pasojë e një ngjarjeje të papritur, por rrjedhojë logjike e neglizhencës institucionale, vjetërsisë së infrastrukturës dhe menaxhimit joprofesional ndër vite.
“Gjendja aktuale e furnizimit të Kosovës me energji elektrike është e rëndë dhe, praktikisht, krizë evidente e ka përfshirë vendin sa i përket furnizimit me rrymë,” deklaron ai.
Ai tregon se në ditët e fundit, KEK është reduktuar në minimumin funksional: vetëm një njësi prodhuese (A4) është në operim, ndërsa të gjitha blloqet e tjera janë jashtë funksionit. Blloku B2, që ka kapacitet të konsiderueshëm, është në remont të thelluar që nga muaji prill dhe nuk pritet të rikthehet para tetorit. Në të njëjtën kohë, blloku B1 dhe disa njësi të Kosova A janë ndalur për shkak të defekteve teknike të paplanifikuara.
“Kriza është pasojë e mungesës së energjisë së prodhuar nga termocentralet e stërvjetruara të KEK-ut. Këto ditë kanë dështuar të gjitha blloqet kryesore – Kosova A dhe B1 i Kosovës B – ndërsa B2 është në remont të thelluar që nga prilli dhe nuk pritet të rikthehet deri në tetor,” sqaron Gjata.
Për më tepër, temperaturat e larta dhe vala e verës kanë shtuar ndjeshëm kërkesën për energji, duke e bërë hendekun ndërmjet prodhimit dhe konsumit edhe më të madh.
“Konsumi i rritur ndjeshëm si rrjedhojë e temperaturave të larta, i kombinuar me mungesën e prodhimit në termocentrale, ka qitë në sipërfaqe të gjithë dobësinë strukturore të sistemit energjetik të Kosovës,” thotë ai.
jata thekson se kriza është më shumë një simptomë e mungesës së vizionit afatgjatë dhe e dështimit të projekteve madhore për dekada me radhë.
“Të gjitha qeveritë e deritashme janë fajtore për gjendjen aktuale elektroenergjetike. Asnjëra nuk ka bërë asgjë substanciale për të siguruar kapacitete të reja prodhuese. Sot Kosova është pa një termocentral të ri dhe pa projekte madhore të energjisë së gjelbër, përveç ndonjë kapaciteti të vogël në erë në Shalë të Bajgorës ose në Kitkë të Kamenicës.”
Ai paralajmëron se derisa mungon edhe vullneti politik për të reformuar sektorin, problemet nuk do të zgjidhen, përkundrazi do të thellohen:
“Nuk ka pasur gjithmonë përzgjedhje të kuadrove të shkathëta dhe të ditura menaxheriale. Përkundrazi, në shumë raste kanë dominuar përkatësitë partiake, qoftë në KEK, qoftë në KOSTT dhe ZRRE.”
Në fund, Gjata thotë se kjo krizë mund të menaxhohet, por vetëm nëse secili institucion merr përsipër rolin që i takon, pa u fshehur pas deklaratave politike apo akuzave të ndërsjella.