Kryeministri në detyrë i Kosovës vlerëson se investimi më i madh në historinë e Termocentralit “Kosova B” do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet prodhuese dhe do të ulë varësinë energjetike nga importi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se investimi prej 56 milionë eurosh në modernizimin e turbinave të Termocentralit “Kosova B” do të sigurojë më shumë prodhim, do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do të ulë varësinë nga importi.
Ai ka njoftuar se ekspertët e kompanisë amerikane General Electric, e cila ka dizajnuar teknologjinë e turbinave para më shumë se 40 vjetësh, është duke punuar ngushtë me ekipin teknik të Korporatës Energjetike të Kosovës për modernizimin e tyre.
“Ky është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Termocentralin “Kosova B”, që nga ndërtimi i tij. Modernizimi i turbinave po bëhet për herë të parë pas më shumë se katër dekada. Me këtë investim kapital po sigurohet më shumë prodhim vendor, po rritet siguria e furnizimit dhe ulët varësia nga importi”, ka shtuar ai.
Ndryshe, modernizimi i Termocentralit Kosova B pritet të përfundojnë në vitin 2026. Kjo pritet të çojë në rritjen e kapacitetit të prodhimit, reduktimin e ndotjes mjedisore dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji për dekadat e ardhshme.