Home / Lajme / Rajoni / “Njerëzit në qendër”, Begaj bën thirrje për financim të drejtë në FFD4

“Njerëzit në qendër”, Begaj bën thirrje për financim të drejtë në FFD4

Presidenti i Shqipërisë kërkon solidaritet global dhe drejtësi sociale për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.

Në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare mbi Financimin e Zhvillimit (FFD4) në Sevilje, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dha një mesazh bindës: financimi i zhvillimit të qëndrueshëm duhet t’i vërë njerëzit në radhë të parë.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit solli në vëmendje angazhimin e Shqipërisë dhe hapat e  ndërmarra nga vendi ynë për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Gjithashtu, Begaj paraqiti vizionin e vendit tonë për nevojën e financimit për zhvillim si një mundësi që garanton rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe investim për qytetarët përmes politikave ekonomike të bazuara në drejtësinë sociale.

Duke iu referuar sfidave të shumta globale, presidenti Begaj u shpreh  për domosdoshmërinë e veprimeve të përbashkëta që i përkthen angazhimet në rezultate konkrete.

“Financimi për zhvillim të qëndrueshëm duhet të ketë në qendër mirëqenien e njerëzve. Politikat ekonomike dhe drejtësia sociale janë të pandara”, theksoi Presidenti i Republikës, duke paraqitur gjatë fjalës së tij politikat e ndjekura nga vendi ynë: “Në Shqipëri jemi të angazhuar në zhvillimin e aftësive dhe fuqizimin e të rinjve, në zgjerimin e mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e garantimit të shërbimeve cilësore të kujdesit shëndetësor dhe arsimor”.

Presidenti Begaj foli për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, duke nënvizuar se procesi i financimit për zhvillim  është më shumë se një agjendë në kuadrin teknik.

“Si një vend në zhvillim me orientim të qartë reformues, Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme në nxitjen e rritjes gjithëpërfshirëse, forcimin e qeverisjes demokratike dhe rritjen e llogaridhënies. Investimet në arsim, shëndetësi, infrastrukturë digjitale dhe energji të rinovueshme janë kthyer në përparësinë tonë strategjike. Po zbatojmë reforma fiskale për të rritur transparencën dhe paanshmërinë në sistemin tatimor, si dhe po punojmë në mënyrë të intensifikuar për të siguruar që shpenzimet publike të jenë të orientuara drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Për vijimësinë e këtyre politikave, Presidenti Begaj vuri në dukje se asnjë vend, pavarësisht madhësisë apo ambicieve të tij, nuk mund të përballojë i vetëm barrën e financimit për zhvillimin. Presidenti theksoi rëndësinë e një  sistemi financiar global që nxit transformimin.

“Shqipëria i bashkohet gjithnjë e më shumë zërave në rritje për një arkitekturë financiare globale të reformuar që të jetë më gjithëpërfshirëse, më përfaqësuese dhe më e aftë për të përballuar krizat e shumta dhe të ndërlidhura që karakterizojnë kohën në të cilën jetojmë”.

“Financimi për zhvillim nuk duhet të mbetet një slogan”, ravijëzoi kreu i shtetit, duke u fokusuar  te forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Begaj rikonfirmoi se Shqipëria do të mbetet një partnere aktive dhe konstruktive në komunitetin global të zhvillimit, duke besuar në rëndësinë e multilateralizmit, në fuqinë e bashkëpunimit dhe në të drejtën e çdo individi për të jetuar me dinjitet, larg varfërisë dhe frikës.

Nga 30 qershori deri më 3 korrik, udhëheqësit globalë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian António Costa, u mblodhën së bashku me përfaqësues nga 150 vende për të diskutuar rinovimin e kuadrit ndërkombëtar për financimin e zhvillimit dhe avancimin e Agjendës 2030 të OKB-së dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e quajti konferencën “një thirrje për veprim” në klimën e ndërlikuar politike të sotme, duke i nxitur udhëheqësit të veprojnë me guxim dhe vizion.

“Kjo konferencë synon të riafirmojë angazhimin tonë ndaj multilateralizmit në realitetin e ndërlikuar politik në të cilin jetojmë, dhe ne jemi vërtet shumë krenarë që jemi mikpritës të këtij takimi”, tha Sánchez përpara samitit.

/AlbanianPost