Home / Highlights / Prodhimi në KEK po mbulon mbi 100% të kërkesës për energji elektrike në Kosovë

Prodhimi në KEK po mbulon mbi 100% të kërkesës për energji elektrike në Kosovë

Në fillim të korrikut 2025, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur të mbulojë më shumë sesa 100% të kërkesës ditore për energji elektrike nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), vetëm përmes kapaciteteve të veta prodhuese.

Më 1 dhe 2 korrik, KEK ka prodhuar 10,628 megavatë orë (MWh) në ditë, ndërkohë që kërkesa për konsum ka qenë më e ulët: 9,450 MWh në ditën e parë dhe 9,791 MWh në të dytën. Kjo i bie se korporata ka tejkaluar kërkesën për energji përkatësisht me 112% dhe 109%.

Kjo është një arritje e pazakontë për KEK-un, sidomos duke marrë parasysh se një prej njësive kryesore të termocentralit Kosova B – njësia B2 – aktualisht nuk është në funksion për shkak të punimeve rehabilituese. Megjithatë, njësitë tjera – B1 në Kosova B dhe A3 e A5 në Kosova A – janë duke operuar me kapacitet të plotë.

Në sfondin e këtyre zhvillimeve qëndron edhe një realitet teknik jo i lehtë: shumica e pajisjeve prodhuese të KEK-ut janë të vjetra mbi 40 vjet, në disa raste deri në 60, dhe mirëmbajtja e tyre kërkon përpjekje të vazhdueshme.

Ndërkohë, KEK ka nisur projekte të mëdha për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së këtyre njësive për edhe së paku 20 vite. Në një kohë kur sektori energjetik në Kosovë vazhdon të përballet me sfida strukturore, kjo performancë e KEK-ut shihet si një lehtësim i përkohshëm për sigurinë energjetike të vendit.