Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë (METI) ka nënshkruar një marrëveshje historike me Siemens Gamesa Renewable Energy për të krijuar një kornizë publiko-private bashkëpunimi, me qëllim ndërtimin dhe fuqizimin e zinxhirit të furnizimit me turbina të erës që vendosen në det.
Japonia nuk ka prodhues vendor të këtij lloji të turbinave dhe po synon bashkëpunime me kompani ndërkombëtare për të ndërtuar kapacitete të brendshme.
Në kuadër të këtij projekti, është nënshkruar gjithashtu një memorandum mirëkuptimi mes Siemens Gamesa dhe kompanisë japoneze TDK, e cila do të sigurojë magnete të përhershme për turbinat e erës.
Ky bashkëpunim vjen pas një marrëveshjeje të ngjashme të firmosur më herët këtë muaj mes METI dhe firmës amerikane GE Vernova, e cila mbulon sektorët e turbinës, hidrogjenit dhe amonjakut.
Energjia e erës detare është shtylla kryesore e strategjisë energjetike të Japonisë, me objektiv për të arritur 45 GW kapacitet deri në vitin 2040, në përpjekje për të reduktuar varësinë nga importet e qymyrit dhe gazit. Megjithatë, procesi është përballur me vonesa dhe rritje kostosh pas tre raundeve të ankandeve të mëdha, gjë që ka ngadalësuar zbatimin e projekteve .
Sipas METI-së, integrimi i kompanisë TDK në prodhimin e magnetëve në vend do të ndihmojë në ndryshimin e gjendjes aktuale, duke përkrahur vendosjen e një baze prodhuese të qëndrueshme dhe reduktimin e kostove të importit.
Drejtuesit e Siemens Gamesa kanë përshkruar bashkëpunimin si një hap drejt sjelljes së teknologjive më të avancuara në tregun japonez, duke vijuar zgjerimin e zinxhirit të furnizimit brenda vendit .
Ky bashkëpunim përforcon përpjekjet e Japonisë për të rivitalizuar fushatën e ankandeve offshore, për të nxitur investime në portet kyçe dhe për të lëvizur nga megavatët drejt gigavatëve në dekadën e ardhshme.
Nëse zbatimi do të përshpejtohet, marrëveshja mund të krijojë mijëra vende pune të kualifikuara dhe të forcojë industrinë e brendshme me rritjen e sigurisë energjetike dhe mbështetjen e objektivave të qëndrueshme mjedisore të Japonisë dhe Bashkimit Evropian.