Home / Lajme / Rajoni / Lushnje, panele diellore në kopshte e shkolla

Lushnje, panele diellore në kopshte e shkolla

Instalimi i rreth 150 paneleve fotovoltaike në gjithsej 6 kopshte dhe shkolla në qytetin e Lushnjës në Shqipëri do të mundësojë uljen e shpenzimeve që aktualisht shkojnë për energji, reduktimin e CO2 dhe do të krijojë kushte më të mira dhe një ambient më të pastër për rreth 1 mijë e 500 fëmijë dhe nxënës.

Instalimi i paneleve diellore do të gjenerojë më shumë se 100 MWh energji të pastër në vit, ndërsa do të reduktohet emetimi i gazrave që shkaktojnë efektin serrë me më shumë se 900 ton CO2.

Projekti u realizua në kuadër të programit BE për Tranzicionin e Energjisë zbatuar nga GIZ, me fonde nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane.

Kryetarja e Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, shprehet se qëllimi i projektit është të zerojmë faturat për objektet arsimore.

“Në tre kopështe dhe një çerdhe që ne e kemi vendosur këtë sistem, sot jemi me zero kosto pagesë fature energjie elektrike, pasi Lushnja ka një fat të mirë që më shumë se 300 ditë të vitit ajo i ka me diell,” tha kryebashkiakja Eriselda Sefa.

Përfaqësuesja e ambasadës gjermane në Tiranë, Renate Quelle, e lidhi projektin me objektivat e Partneritetit Rajonal për Klimën midis Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Përmes Partneritetit Rajonal për Klimën, ne po mbështesim rajonin në realizimin e një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme, përfshirë mbështetjen për zhvillimin dhe miratimin e dokumenteve strategjike. Por një strategji vlen aq sa zbatimi i saj. Ajo që inaugurojmë sot është dëshmi se strategjitë për klimën mund dhe duhet të sjellin rezultate konkrete. Duke pajisur katër kopshte, një çerdhe dhe dy shkolla në Lushnje me sisteme diellore, ne sigurojmë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për fëmijët – ndërkohë që ulim kostot e energjisë dhe përmirësojmë aksesin në kujdes cilësor për nënat dhe familjet. Në këtë mënyrë, ne po fuqizojmë gjeneratën e ardhshme të rritet në një hapësirë të qëndrueshme dhe frymëzuese që vë në plan të parë mirëqenien e tyre,” tha përfaqësuesja e ambasadës gjermane në Tiranë.

Çdo qytetar mund të instalojë panele të tilla për qëllimet e veta duke ulur shpenzimet për energjinë elektrike. Rodon Miraj, këshilltar i Giz për Shqipërinë shprehet se Shqipëria është e para në Ballkan që ka instaluar më shumë panele diellore.

“Me krenari themi se shqipëra është e para për nga zhvillimi i vetkonsumimit të energjisë në godina në përgjithësi dhe ne jemi shteti që ka instaluar me shumë panele, shteti që ka më shumë biznese që instalojnë dhe shtetik që ka më shumë diell në rajon,” tha Rodon Miraj, këshilltar për GIZ në Shqipëri.

Ky është një nga dhjetë projektet në shkallë të vogël që po zbatohen në të gjithë Ballkanin Perëndimor dy prej tyre në Shqipëri, në Lushnjë dhe Roskovec.

Ato demonstrojnë se si strategjitë lokale për klimën mund të përkthehen në përfitime konkrete në nivel komuniteti.