Inxhinierja Janina Ymeri ka reaguar ndaj situatës aktuale energjetike në Kosovë, duke vënë theksin te shpenzimet e larta të transmetimit të rrymës nga jashtë dhe performanca reale e gjenerimit vendor të energjisë.
Sipas saj, vetëm për nesër, shpenzimet për transmetimin e energjisë nga Maqedonia arrijnë në rreth 115 mijë euro, një kosto që bie mbi konsumatorët për të mbuluar jo vetëm furnizimin, por edhe humbjet dhe kostot teknike që nuk përmbushen nga KEK dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), shkruan Gazeta Infokus.
“Në Kosovë duhet të mbulohen bizneset, humbjet dhe kosto të tjera teknike që KEK me FSHU nuk i mbulon,” ka shkruar Ymeri.
Ajo kritikon Korporatën Energjetike të Kosovës për qasjen sipërfaqësore në raportim të performancës, duke thënë se menaxhimi nuk vlerësohet nga imazhi publik, por nga prodhimi faktik i energjisë.
“E kuptoj që KEK sh.a. shkruan poste për një pamje më të mirë të menaxhimit, por menaxhimi shihet nga gjenerimi faktik i rrymës,” theksoi ajo.
Ymeri përmendi edhe një rast konkret, duke ironizuar me menaxhimin e pretenduar gjatë muajit prill:
“Në prill keni pas aq menaxhim të mirë, sa me datën 5 prill, bartja e rrymës ka arritur mbi 1 milion euro – nga ‘puna e mirë e blloqeve’.”
Në fund, ajo e krahasoi këtë qasje me vendet në regres të thellë ekonomik:
“Si në çdo shtet tjetër me regres ekonomik të theksuar: kompanitë dhe institucionet publike shërbejnë për përmirësimin e pamjes së pushtetit.”
Reagimi i Ymerit vjen në kohën kur rritja e shpenzimeve për importin dhe transmetimin e energjisë po ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin financiar të sektorit energjetik dhe potencialisht edhe në tarifat për konsumatorët.