Home / Lajme / Kosova / Ankesat e bizneseve për tregun e lirë energjetik, deklarohet Kurti

Ankesat e bizneseve për tregun e lirë energjetik, deklarohet Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke theksuar se nuk beson që ky vendim do të shkaktojë probleme siç është paraqitur nga disa palë.

“Bëhet fjalë për një vendim të vitit 2016, i cili është dashur të zbatohet, dhe prek vetëm rreth 1 për qind të kompanive që do të kenë mundësinë të nënshkruajnë kontrata për blerje të energjisë. Furnizuesi i fundit mbetet KEK-u dhe nuk besoj se do të ketë probleme siç është trumbetuar,” tha Kurti në një intervistë për Tëvë1.

Megjithatë, vendimi i ZRRE-së ka hasur në kundërshtime të forta nga komuniteti i biznesit dhe kompanitë vendore.

Ditë më parë, Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative, ka marrë aktvendime në lidhje me anulimin e këtij vendimi, më 25 qershor 2025.

Bizneset vazhdojnë të paraqesin padi kundër ZRRE-së, ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se funksionon një zyrë e posaçme për përpilimin e padive kundër këtij vendimi.

Kjo zyrë ofron mbështetje ligjore për bizneset e prekura dhe po shënon interesim të lartë nga kompanitë që kërkojnë ndihmë për kontestimin ligjor.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut është shoqëruar me shkelje procedurale dhe substanciale, të evidentuara edhe nga institucionet evropiane.

Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësime të thella për zbatimin e këtij procesi, duke u bazuar në aktvendimet e fundit gjyqësore që kanë pezulluar ekzekutimin e vendimeve të ZRRE-së.

Në shenjë pakënaqësie, bizneset kishin organizuar edhe protesta kundër vendimit të ZRRE-së, duke argumentuar se ky hap do të rëndojë ekonominë e vendit.