Home / Lajme / Kosova / Ylber Batalli s’e pranon detyrën e kryeshefit të KEK-ut – Bordi njofton për rishpallje të konkursit

Ylber Batalli s’e pranon detyrën e kryeshefit të KEK-ut – Bordi njofton për rishpallje të konkursit

Bordi i Drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka njoftuar se ka përfunduar procedurat për përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv. Në përfundim të këtij procesi, në këtë pozitë është emëruar Ylber Batalli.

Megjithatë, KEK ka bërë të ditur se Batalli ka refuzuar ta pranojë këtë detyrë për arsye personale dhe profesionale.

Për pasojë, Gramos Hashani do të vazhdojë të ushtrojë funksionin si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv me kompetenca të plota, deri në përfundimin e procedurave të reja të rekrutimit ose deri në një vendim tjetër të Bordit të Drejtorëve.

KEK ka bërë të ditur se konkursi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv do të rishpallet në një afat të arsyeshëm.

“Bordi i Drejtorëve, në pajtim me kompetencat ligjore, e siguron opinionin publik se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta rishpallur konkursin publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK Sh.A. në një afat të arsyeshëm”, thuhet në njoftim.

Korporata Energjetike e Kosovës është pa kryeshef ekzekutiv të rregullt që nga prilli i vitit 2023, kur ish-kryeshefi Nagip Krasniqi u arrestua nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprime të tjera të kundërligjshme.

Prej atëherë, detyra e kryeshefit ekzekutiv po ushtrohet nga ushtrues detyre.