Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës ka mbajtur sot një takim me kryetarët e dy sindikatave të korporatës: Sindikata e Re e KEK-ut (SR-KEK) dhe Sindikata Pavarur e Energjetikës së Kosovës (SPEK), ku është diskutuar për çështje me interes të ndërsjellë dhe për mirëqenien e punonjësve, ku ka njoftuar për ndarjen e thëngjillit për të gjithë punonjësit e KEK-ut, si masë mbështetëse dhe lehtësuese për punonjësit.
Në një postim në “Facebook”, KEK bën të ditur se gjatë takimit, menaxhmenti i ka njoftuar përfaqësuesit sindikal lidhur me vendimin e fundit të Bordit të Drejtorëve për ndarjen e thëngjillit për të gjithë punonjësit e KEK-ut, si masë mbështetëse dhe lehtësuese për punonjësit.
“Përfaqësuesit sindikal mirëpritën vendimin, ndërsa palët u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë përmes takimeve të rregullta, me qëllim adresimin sa më efektiv të temave të tjera me interes për punonjësit”, thuhet në postim.
Tutje theksohet se KEK-u mbetet i përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv me sindikatat dhe forcimit të partneritetit me punonjësit e saj, si faktor kyç për stabilitetin dhe funksionimin efikas të korporatës.