Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria hap tender pë sigurimin e termocentraleve lundruese në Vlorë

Shqipëria hap tender pë sigurimin e termocentraleve lundruese në Vlorë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shpallur një tender për sigurimin e dy termocentraleve lundruese dhe infrastrukturës shoqëruese në portin e Vlorës. Vlera e parashikuar e kontratës është deri në 174 milionë lekë, rreth 1.8 milionë euro.

Sipas dokumenteve të tenderit, sigurimi përfshin mbulimin e bazës së anijeve, operatorëve dhe punonjësve, si dhe kompensimin për dëmtime të mundshme në pajisje dhe ambientin përreth.

Ky veprim vjen në një moment kur dy termocentralet, të njohura si “Tiger I” dhe “Tiger III”, mbeten të ankoruara në portin e Vlorës që nga vendosja e tyre në fund të vitit 2022, pa filluar asnjëherë prodhimin e energjisë.

Në vitin 2024, KESH pagoi edhe për shërbime të tjera lidhur me operimin e këtyre termocentraleve lundruese, duke përfshirë trajtimin e mbetjeve hidrokarbonike, të cilat kërkuan kontrata me vlerë 30 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) për pastrimin dhe përpunimin e mbetjeve të prodhuara gjatë testimeve

Në total, kostoja për anijet lundruese është konsideruar e lartë nga analistët e pavarur, duke përfshirë qiratë, karburantin, dhe tani edhe sigurimet. Për shembull, është vlerësuar se vetëm qiraja për kater vite kap rreth 46 milionë dollarë .

Ndërkaq, qeveria ka argumentuar se anijet do të ndihmojnë në stabilizimin e furnizimeve në situata emergjente, si periudha me kërkesë të lartë energjetike ose ndërprerje të papritura në rrjet. Megjithatë, deri më tani ato nuk kanë dhënë asnjë megavat-orë energji.