Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Rritet me 20% kërkesa për energji elektrike

Shqipëri: Rritet me 20% kërkesa për energji elektrike

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës në Shqipëri dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, nëpërmjet një reagimi në Facebook, është shprehur se krahasuar me një vit më parë është rritur me 20% kërkesa për energji elektrike nga konsumatorët në këtë vend. Në fjalën e saj, Balluku thotë se OSHEE po garanton furnizim të pandërprerë me energji elektrike për çdo abonent.

“Uroj që të jeni të gjithë mirë në një ditë të nxehtë korriku. Sot mora raportin e 6 ditëve të para të konsumit të energjisë elektrike nga OSHEE Group. Duke e krahasuar korrikun e vitit 2024 me korrikun e vitit 2025, vetëm në javën e parë, kemi 20% rritje të kërkesës. E gjitha kjo, e thënë ndryshme në shifra dhe duke e krahasuar është që, 6 ditët e para të korrikut 2024, mesatarisht shkonin 18.6 milionë kilovatorë kërkesë, ndërkohë që në korrik 2025, në këto 6 ditë të para, kemi pasur një kërkesë prej 22.4 milionë kilovatorë.

E gjitha kjo padyshim reflekton edhe ditët e nxehta, por duke ju referuar historikut edhe një vit më parë korriku dhe gushti kanë qenë dy muaj shumë të nxehtë, por nga ana tjetër reflekton edhe kërkesa që vjen në rritje për shkak të njësive të reja të hotelerisë apo banesave të cilat kanë filluar të jenë të përdorshme apo edhe njësive të biznesit operacionale.

Me gjithë kërkesën e rritur me 20%, krahasuar me vitin 2024, puna që po bëhet sot në terren nga grupet e OSSH është një punë që e konsiderojmë shumë të mirë, pasi shkëputjet kanë qenë minimale dhe nga ana tjetër të gjitha ato avari që kanë ardhur për shkak të ngarkesës së rritur sigurisht janë sistemuar dhe rregulluar në një kohë rekord.

Unë uroj që të jeni të gjithë shumë mirë dhe ju siguroj që mbi 1600 punonjës të OSHEE Group ndodhen në krye të detyrës për të ofruar një shërbim sa më cilësor”, thotë Balluku.