Home / Lajme / Kosova / Të varfrit paguajnë çmimin e subvencioneve për energji në Kosovë

Të varfrit paguajnë çmimin e subvencioneve për energji në Kosovë

Kosova ka shpenzuar mbi 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të mbajtur të ulëta çmimet e energjisë elektrike në periudhën 2018–2023, por përfituesit kryesorë të këtyre subvencioneve nuk kanë qenë familjet në nevojë, por qytetarët dhe bizneset që nuk kanë nevojë për ndihmë financiare.

Ky është përfundimi i një analize të publikuar nga Atlas Institute, duke u mbështetur në të dhëna të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Sipas Atlas Institute, vetëm 9.2% e ndihmës për energjinë ka shkuar për familjet më të varfra, ndërsa pjesa tjetër – mbi 90% – ka përfunduar në xhepat e konsumatorëve që nuk janë në nevojë, përfshirë shtresat më të pasura dhe bizneset, shkruan Energy Monitor.

“Zbritje e barabartë për të gjithë nënkupton përfitim të padrejtë,” thuhet në postimin e Agron Demit, Kryeshef Ekzekutiv ne Atlas Institute.

“Kur thonë se rryma në Kosovë është e lirë, dijeni se çmimin real të saj janë duke e paguar shtresat më të varfra të shoqërisë”, ka shkruar Demi tutje.

Kostoja e fshehur e subvencioneve

Subvencionimi i energjisë në Kosovë, shpesh i paraqitur si ndihmë për qytetarët, po del të jetë një barrë disproporcionale për financat publike dhe një politikë regresive në aspektin social.

Për të mbajtur çmimet e ulëta në tregun e energjisë, qeveria ka mbështetur tarifat përmes transferimeve direkte dhe indirekte nga buxheti i shtetit – një praktikë që, sipas analizës, nuk arrin të ndihmojë ata që kanë më shumë nevojë.

OECD thekson se mbështetja për energjinë në Kosovë është ndër më të lartat në rajon, si për nga përqindja ndaj PBB-së ashtu edhe për strukturën regresive të përfituesve.

Fenomen rajonal, por Kosova në krye

Raporti i OECD-së tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi përballen me sfida të ngjashme: subvencionet për energjinë janë të përhapura, por shpesh jo të targetuara. Megjithatë, Kosova del të jetë një nga rastet më ekstreme.

Për shembull, në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut janë ndërmarrë hapa për të reformuar skemat e subvencioneve dhe për t’i lidhur ato me të ardhurat e familjeve përfituese, ndonëse me sukses të kufizuar. Në Mal të Zi dhe Serbi, subvencionet gjithashtu ekzistojnë, por janë më të kontrolluara si përqindje ndaj PBB-së, raporton Energy Monitor.

Kosova, në anën tjetër, ka treguar një qasje më të gjerë dhe më të pakushtëzuar ndaj subvencioneve — duke çuar në shpërndarje të padrejtë dhe në rritje të pabarazisë.

Kërkesa për reforma urgjente

Atlas Institute bën thirrje për një rishikim të menjëhershëm të politikave të subvencionimit në sektorin e energjisë në Kosovë. Në vend të subvencioneve të përgjithshme që përfitojnë të gjithë në mënyrë të barabartë, institucioni propozon një sistem të targetuar bazuar në të ardhurat e familjeve dhe nevojat reale.

“Për të pasurit, ulja e çmimit është një lehtësi; për të varfrit, është shpëtim. Por kur të dy e marrin njësoj, sistemi dështon,” thuhet në deklaratën e Atlas Institute, raporton Energy Monitor.

Nëse Kosova synon një sistem energjetik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, reforma në politikat e ndihmës financiare dhe përcaktimi i përfituesve duhet të jenë prioritet.

/energymonitor