Zgjedhja e karikimit të veturave elektrike në shtëpi po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, por ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i prizës së zakonshme elektrike mund të mos jetë opsioni më i mirë për këtë qëllim.
Sipas specialistëve, prizat standarde janë dizajnuar për përdorim të përditshëm dhe jo për karikim të vazhdueshëm të baterive të makinave elektrike. Ata nënvizojnë se përdorimi i gjatë dhe intensiv mund të çojë në ngrohje të tepërt dhe rrezik për shkëndija apo zjarre.
Karikimi në një prizë shtëpiake me kapacitet rreth 2.3 kW është shumë i ngadaltë dhe mund të zgjasë deri në 20 orë për mbushjen e një baterie mesatare prej 50 kWh. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë përdorimin e karikuesve të specializuar “wallbox”, të cilët mund të ofrojnë karikim më të shpejtë, më efikas dhe më të sigurt.
Përveç shpejtësisë, “wallbox”-ët kanë sisteme mbrojtëse që parandalojnë mbingarkesën dhe mbrojnë rrjetin elektrik në shtëpi, duke siguruar një përdorim të qëndrueshëm dhe pa rreziqe.
Një tjetër shqetësim është humbja e energjisë gjatë karikimit nga priza e zakonshme, e cila është më e lartë në krahasim me karikuesit profesionalë, duke rritur kështu edhe faturën e energjisë.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e kontrollit të sistemit elektrik në shtëpi para instalimit të karikuesve të fuqishëm, si dhe këshillojnë përdoruesit që të mos përdorin prizën e zakonshme për karikim të përditshëm.
Me rritjen e përdorimit të makinave elektrike, zgjedhja e mënyrës së duhur të karikimit bëhet gjithnjë e më jetike për sigurinë, kursimin dhe mirëfunksionimin e pajisjeve.
/Telegrafi