Home / Lajme / Rajoni / Balluku: Raporti i OECD për sektorin energjetik në Shqipëri, vlerësim për reformat e ndërmarra

Balluku: Raporti i OECD për sektorin energjetik në Shqipëri, vlerësim për reformat e ndërmarra

“Raporti i OECD për sektorin energjetik, është një tjetër vlerësim për rezultatet e arritura dhe reformat që kemi ndërmarrë për fuqizimin e sektorit”.

Kështu ka deklaruar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku – në takimin që u zhvillua në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të OECD-së dhe ekspertëve të fushës – vlerësoi se në kushtet e zhvillimeve të gjeopolitikës, energjia ka treguar prej disa vitesh se është “thembra e Akilit”, për të gjitha vendet, sa i përket prodhimit, sigurisë, eficiencës dhe mbi të gjitha, tha ajo, “energjia do të mbetet një produkt jetësor”.

Ajo u shpreh se Shqipëria do të vijojë në rrugën e nisur për qëndrueshmëri energjetike jo vetëm për vendin dhe rajonin, por edhe për mbështetjen e konsumatorit me çmime sa më të ulëta.

Balluku vuri në dukje se, në raportin për “Çmimet dhe subvencionet në sektorin energjetik në Ballkanin Perëndimor 2025”, përpiluar nga OECD, që synon qasjen pozitive drejt energjisë së gjelbër dhe kalimin drejt energjisë së qëndrueshme duke u fokusuar në efektet sociale, Shqipëria në tranzicionin e gjelbër të sektorit të energjisë është unike nga vendet e rajonit, por dhe më gjerë.

“Shqipëria prodhon 100% energji të rinovueshme, nga HEC dhe burime alternative, që e kanë rritur prodhimin e energjisë me 500 megavat-orë, ndërsa janë gati edhe shumë projekte të reja fotovoltaike dhe eolike që e çojnë prodhimin e energjisë 1,3 gigavat-orë”, tha ajo.

Sipas saj, ky raport evidenton mbështetjen më të madhe që Qeveria shqiptare i ka dhënë sektorit energjetik.

“Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka ofruar mbështetjen më të lartë direkte fiskale për sektorin energjetik, që ka qenë një mburojë reale për konsumatorin dhe biznesin”.

Ajo tha se, gjatë krizës energjetike botërore, që erdhi për shkak të agresionit rus në Ukrainë, në vitin 2022, tregjet ndërkombëtare u përballën me çmime të pahasura më parë. Për këtë arsye KESH përfitoi nga qeveria shqiptare 168 milionë euro, për të garantuar që tarifa për qytetarët të mos ndryshonte, pavarësisht një rritjeje ekspansionale në treg.

Sipas vlerësimit në raport, tarifat për familjarët duhet të rriteshin me 29% në rastin e një skenari minimal. Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhynte, abonenti do të paguante minimalisht 29% më shumë për energjinë dhe maksimalisht 114%.

“Ne, jo vetëm që nuk e kemi rritur çmimin, por kemi vijuar mbështetjen me uljen e çmimit të energjisë gjatë këtij viti, me 10,5% për abonentët familjarë, duke shënuar një ulje historike që nuk është bërë në 30 vite”, shtoi Balluku.