Rënia e prodhimit vendor dhe rritja e konsumit shtynë Serbinë drejt varësisë më të madhe nga tregjet e jashtme.
Serbia ka rritur importet e energjisë elektrike me 15% gjatë vitit 2024, si pasojë e rënies së ndjeshme të prodhimit vendor dhe rritjes së konsumit në të gjitha kategoritë e përdoruesve.
Këto janë gjetjet kryesore të raportit vjetor të Agjencisë për Energji të Republikës së Serbisë (AERS), i cili thekson rritjen e pasigurisë në furnizimin energjetik të vendit.
Prodhimi i përgjithshëm i energjisë në Serbi gjatë vitit 2024 ra me 6.7% krahasuar me vitin paraprak. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga ulja e ndjeshme e prodhimit nga hidrocentralet, të cilat siguruan 16.7% më pak energji për shkak të kushteve të pafavorshme hidrologjike.
Në të njëjtën kohë, konsumi i energjisë është rritur me 2.7%, duke arritur në 30.8 teravatë orë. Kërkesa është rritur si në amvisëri, ashtu edhe në sektorin industrial, veçanërisht te konsumatorët me tension të mesëm dhe të lartë.
Kjo kombinim i rënies së prodhimit dhe rritjes së konsumit e ka detyruar Serbinë të mbështetet më shumë në tregjet e jashtme për të përmbushur nevojat e saj energjetike.
Rritja e importit tregon për sfidat strukturore me të cilat po përballet sistemi energjetik i vendit, përfshirë kapacitetet e vjetruara të prodhimit, ndërprerjet për mirëmbajtje dhe mungesën e diversifikimit të burimeve të energjisë.
Ekspertët vlerësojnë se pa investime të menjëhershme në modernizimin e termocentraleve dhe hidrocentraleve ekzistuese, si dhe pa zgjerim të kapaciteteve në energjinë e rinovueshme, Serbia rrezikon të përballet me një varësi të vazhdueshme nga importi dhe me rritje të pasigurisë energjetike në vitet në vijim.