Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS siguron 8 gjeneratorë të rinj për raste emergjente në të gjithë Kosovën

KEDS siguron 8 gjeneratorë të rinj për raste emergjente në të gjithë Kosovën

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të saj për përballjen me situatat emergjente.

KEDS ka blerë 8 gjeneratorë mobilë me kapacitet prej 100 kVA secili, të cilët do të përdoren për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike për konsumatorët më të ndjeshëm.

Këta gjeneratorë janë të dedikuar për raste të veçanta kur furnizimi me energji ndërpritet si pasojë e fatkeqësive natyrore, zjarreve, aksidenteve apo situatave të tjera të paparashikuara. Ata do të vendosen në shërbim të institucioneve kritike si spitalet, qendrat e kontrollit emergjent, institucionet e sigurisë dhe objekte të tjera që kanë rëndësi jetike për funksionimin e vendit.

“Këta gjeneratorë do të jenë gjithmonë në gatishmëri emergjente dhe do të shpërndahen në të gjithë territorin e Kosovës për të mundësuar intervenim sa më të shpejtë dhe efikas,” thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Me këtë investim, KEDS synon të rrisë reziliencën e sistemit energjetik dhe të përmirësojë reagimin në raste emergjente, duke garantuar që komunitetet më të cenueshme të mos mbesin pa energji elektrike në momentet më të vështira.