Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar sot se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj njoftimit publik për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Kërkesat ishin bërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës.
Në dy aktvendime të ndara, Gjykata ka konstatuar se nuk ka bazë ligjore për të pezulluar njoftimin e ZRRE-së të publikuar më 12 mars 2025. Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut promovon konkurrencë më të madhe ndërmjet furnizuesve, nxit çmime më të ulëta dhe shërbim më cilësor për konsumatorët, si dhe rrit efikasitetin e përgjithshëm të sektorit energjetik.
Sipas Gjykatës, liberalizimi gjithashtu u jep mundësi furnizuesve të ofrojnë zbritje dhe oferta më të favorshme, duke kontribuar në një treg më funksional dhe në interes të publikut.
Gjykata ka vlerësuar se paditësit nuk kanë arritur të dëshmojnë përmbushjen e të dy kritereve të përcaktuara në legjislacion – numrin e punëtorëve më pak se 50 dhe qarkullimin vjetor nën 10 milion euro – çka është e nevojshme për të përfituar nga shërbimi universal.
ZRRE ka rikujtuar se bazuar në Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milion euro nuk kanë të drejtë të furnizohen përmes shërbimit universal dhe duhet të kalojnë në treg të lirë.
Në këtë kontekst, ZRRE fton të gjitha bizneset që i plotësojnë kriteret për të dalë në treg të hapur, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar furnizues të rinj të energjisë. Sipas rregullatorit, konkurrenca sjell përfitime direkte për konsumatorët dhe nxit zhvillimin e një tregu më efikas dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet evropiane.
ZRRE shprehet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.