Më 8 dhe 9 korrik 2025, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT organizoi një Akademi Verore në Prishtinë me temë “Fokusi në Energjinë e Gjelbër”, duke përfunduar me sukses dy ditë ligjëratash dhe diskutimesh intensive për burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe ndikimin e tyre në sistemin elektroenergjetik të Kosovës.
Në ditën e parë, ekspertë dhe ligjërues të fushës si inxhinierët Erzen Krasniqi dhe Drenusha Gashi trajtuan tema të tilla si instalimi i sistemeve solare në objektet rezidenciale dhe industriale, si dhe rrjeti i gjeneratës së ardhshme CIGRE në Kosovë.
Më 9 korrik, inxhinierja Saranda Bytyqi prezantoi panelet diellore fotovoltaike dhe përfitimet e tyre, ndërsa Blerton Mustafa diskutoi ndikimin e burimeve të ripërtëritshme në sistemin e shpërndarjes energjetike.
Në akademi morën pjesë studentë të nivelit Bachelor dhe Master, si dhe staf akademik, të cilët patën mundësinë të shkëmbenin njohuri dhe përvoja praktike me profesionistë të fushës.
Në përmbyllje të ngjarjes, të gjithë pjesëmarrësit morën çertifikata pjesëmarrjeje me ECTS në lëndën “Ndikimi i Burimeve të Energjisë së Ripërtëritshme në sistemin elektroenergjetik të Kosovës”.
Akademia Verore e këtij viti theksoi rëndësinë e integrimit të energjisë së gjelbër në sistemet energjetike dhe nxitjen e bashkëpunimit mes studentëve dhe profesionistëve për projekte të qëndrueshme.
Përmes këtyre aktiviteteve, UBT synon të përgatisë ekspertë të rinj të fushës energjetike, të aftë për të përballuar sfidat teknologjike dhe mjedisore të së ardhmes.
Ky aktivitet konfirmon angazhimin e UBT-së në promovimin e arsimit të avancuar dhe qëndrueshëm në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duke kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve vendore dhe rajonale.