Rreth 60 pjesëmarrës, ekspertë të fushës së energjisë, drejtues bankash dhe sipërmarrës, u mblodhën në Tiranë në një konferencë me temë “Furnizimi i decentralizuar i energjisë për vetëkonsum me fotovoltaik në Shqipëri dhe Kosovë”, organizuar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA).
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të një udhëtimi që delegacioni në fushën e energjisë ka nisur nga data 7 korrik dhe përfundon më 11 korrik 2025, në bashkëpunim me AHK Maqedonia e Veriut, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) dhe kompaninë konsulente gjermane “Eclareon”, me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori ekzekutiv i DIHA-s, Bledar Mankollari theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si pikënisje e udhëtimit të delegacionit që këtë vit nisi nga Tirana.
Më pas, e deleguara e AHK Maqedonia e Veriut, Antje Wandelt ndau objektivat dhe pritshmëritë për këtë udhëtim, i cili do të vijojë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut pas ndalesës së parë në Shqipëri.
Në vijim, presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg-Farka foli për ecurinë dhe potencialin e tregut fotovoltaik në Shqipëri duke theksuar mundësitë në rritje për investime dhe bashkëpunim në këtë sektor strategjik.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Thilo Schroeter, vlerësoi ndikimin e konferencave të tilla në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve dhe në nxitjen e energjisë së pastër dhe të qëndrueshme.
Gjatë punimeve të konferencës, përfaqësues të kompanive gjermane pjesëmarrëse në delegacion prezantuan teknologji dhe zgjidhje të reja në fushën e energjisë së rinovueshme, me fokus të veçantë në vetëkonsum dhe furnizim të decentralizuar.
Kompanitë e përfaqësuara në këtë aktivitet ishin Beka Versorgungstechnik, Energy Change Advisory, ELTEC Solar AG, Megger Germany GmbH, Sunset Energietechnik GmbH dhe Envelio GmbH.
Më tej, eksperti i energjisë për Shqipërinë dhe Kosovën, Ergi Kadiu ofroi një pasqyrë mbi situatën aktuale të vetëkonsumatorëve në të dy vendet, ndërsa Dorian Pashaj nga ProCredit Bank Albania prezantoi angazhimin e bankës në mbështetjen e investimeve në energjinë diellore dhe mundësitë e financimit në këtë drejtim.
Pas përfundimit të konferencës, pjesëmarrësit zhvilluan takime B2B me kompanitë lokale nga Shqipëria dhe Kosova, të cilat ofruan mundësi konkrete bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash.