Ka nisur ndërtimi i interkonektorit të gazit natyror midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, një projekt i rëndësishëm për sigurinë energjetike të vendit dhe rajonit. Ceremonia e nisjes së punimeve u mbajt në afërsi të Negotinës, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të kompanive kontraktuese dhe ambasadorë të vendeve partnere.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se me këtë projekt Maqedonia e Veriut po shndërrohet në një nyje energjetike për rajonin.
Sipas tij, kjo është pjesë e arkitekturës së re energjetike që do të sigurojë burime të diversifikuara dhe më të qëndrueshme të furnizimit me gaz. Ai theksoi se kjo infrastrukturë është e një rëndësie të veçantë për integrimin e vendit në rrjetet evropiane të energjisë dhe do të kontribuojë në rritjen e pavarësisë energjetike.
Një nga zërat më të theksuar gjatë ceremonisë ishte ai i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit, Izet Mexhiti. Ai e quajti ndërtimin e interkonektorit një hap strategjik jo vetëm për sigurinë energjetike, por edhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Ky investim është një hap i rëndësishëm përpara drejt një mjedisi më të shëndetshëm. Me disponueshmërinë e gazit natyror, po hapim derën për zëvendësimin e lëndëve djegëse ndotëse, veçanërisht në komunat ku ende përdoren drurët dhe mazuti”, u shpreh Mexhiti.
Ai shtoi se përfitimet janë të qarta dhe konkrete: “Ky projekt do të sjellë ajër më të pastër, ulje të grimcave PM, komuna më të shëndetshme dhe kushte më të mira jetese për qytetarët.”
Sipas tij, përveç ndikimit pozitiv në mjedis, gazi natyror do të ulë kostot për familjet dhe bizneset, duke ndihmuar në lehtësimin e barrës ekonomike për qytetarët.
Interkonektori do të ketë një gjatësi prej 66.7 kilometrash dhe do të ndërtohet me tubacion me diametër 700 milimetra. Në fazën fillestare, kapaciteti do të jetë 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, me mundësi zgjerimi në 3 miliardë metra kub. Kontrata për ndërtimin është nënshkruar me kompaninë “Rapid Build” nga Kumanova, me vlerë rreth 60 milionë euro dhe afat përfundimi në vitin 2027.
Ambasadorja greke, Sofia Filipidu, dhe ambasadori i BE-së, David Geer, e vlerësuan këtë interkonektor si një element kyç për sigurinë dhe stabilitetin energjetik në rajon. Ambasadorja amerikane, Angela Aggeler, tha se ky projekt është rezultat i shtatë vjetëve punë intensive dhe do të sjellë përfitime të shumta, përfshirë furnizimin me LNG nga SHBA.
Përmes këtij interkonektori, Maqedonia e Veriut jo vetëm që forcon sigurinë energjetike, por edhe kontribuon ndjeshëm në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe integrimin në rrjetin energjetik evropian.
Deklaratat e Mexhitit e bënë të qartë se kjo nismë nuk është thjesht një projekt teknik, por një hap i madh drejt një të ardhmeje më të pastër, më të sigurt dhe më të përballueshme për qytetarët.