Termocentralet me qymyr në Bosnjë dhe Hercegovinë rezultuan të ishin emetuesit më të mëdhenj të dioksidit të squfurit (SO₂) në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2024, sipas një raporti të publikuar nga organizata mjedisore CEE Bankwatch.
Vitin e kaluar, termocentralet boshnjake emetuan 212,840 tonë SO₂ — 11.3 herë më shumë se kufiri i lejuar me ligj. Pas Bosnjës renditet Serbia, me 205,925 tonë, sasi 4.6 herë mbi kufirin e lejuar.
“Sipas të dhënave rajonale, emetimet e SO₂ kanë rënë shumë pak që nga viti 2018. Por me faktin që kufijtë ligjorë për ndotjen u bënë më të rreptë në vitin 2024 krahasuar me vitet e mëparshme, hendeku midis ndotjes reale dhe normave të lejuara u thellua edhe më shumë,” deklaroi CEE Bankwatch.
Për të pestën herë që nga viti 2018, ndotësi kryesor më i madh për sa u përket emetimeve të SO₂ gjatë vitit 2024 ishte termocentrali me qymyr Ugljevik në Bosnjë, me 112,943 tonë të emetuara, pavarësisht investimit 85 milionë euro nga pronari i tij për ndërtimin e një njësie për desulfurizim (heqje të squfurit).
Në të gjithë rajonin, gjashtë njësi energjetike tejkaluan kufijtë individualë të tyre për emetimin e dioksidit të squfurit me më shumë se dhjetëfish vitin e kaluar — Ugljevik, Gacko, Tuzla 6 dhe Kakanj 7 në Bosnje; Kostolac A2 në Serbi; dhe Bitola B1 & B2 në Maqedoninë e Veriut.
Ndotja nga pluhurat në rajon ishte 1.9 herë më e lartë se kufiri i lejuar për vitin 2024. Ndotësi më i madh për sa u përket grimcave të pluhurit ishte termocentrali Gacko në Bosnjë, me 3,339 tonë të emetuar, 13.7 herë më shumë sesa sasia e lejuar me ligj.
Ndotja nga oksidet e azotit (NOx) gjithashtu kaloi kufijtë ligjorë, duke qenë 1.4 herë më e lartë se norma e lejuar për vitin e kaluar.
“Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia vazhduan të shkelin kufijtë për NOx, me termocentralin Nikola Tesla B në Serbi që rezultoi ndotësi më i madh, duke emetuar 12,418 tonë,” thuhet në raportin e CEE Bankwatch.
Ndërkohë, tre shtete të Ballkanit Perëndimor — Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia — kanë dështuar të respektojnë afatet për mbylljen e termocentraleve me qymyr, të cilave u ka përfunduar afati i operimit sipas përjashtimeve afatshkurtra të dhëna me ligj.
Termocentrali i Pljevljës në Mal të Zi po funksionon ilegalisht që nga fundi i vitit 2020, ndërsa në vitin 2022 iu bashkuan edhe Tuzla 4 dhe Kakanj 5 në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe Morava në Serbi.
Po ashtu, termocentrali Kolubara A në Serbi nuk e ndaloi aktivitetin në fund të vitit 2023, pavarësisht se i përfundonte afati ligjor.
“Për vetëm gjashtë muaj, mekanizmi i ri i Bashkimit Europian për rregullimin e kufirit të karbonit (CBAM) do të fillojë të kufizojë eksportet e energjisë elektrike me intensitet të lartë karboni nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet vendosjes së tarifave mbi eksportet drejt BE-së. Kjo do t’i bëjë termocentralet e tyre të vjetruara dhe joefikase ekonomikisht, si dhe më pak konkurruese. Por qeveritë dhe kompanitë publike në rajon sillen sikur kanë në dispozicion gjithë kohën e botës. Janë të domosdoshme plane të qarta dhe të zbatueshme — dhe menjëherë”, – deklaroi Davor Pehchevski, koordinator për energjinë në Ballkan pranë CEE Bankwatch.
/Monitor.al