Për shkak të prodhimit të tepruar nga burimet e ripërtëritshme, mungesës së infrastrukturës për ruajtjen e energjisë, dhe izolimit të rrjetit elektrik, Qipro ka kufizuar mbi 167 GWh energji elektrike të prodhuar nga këto burime gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 — e njëjta sasi që ishte kufizuar gjatë gjithë vitit të kaluar.
Qipro ka kufizuar mbi 167 GWh energji elektrike nga burime ripërtëritshme gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025 – e njëjta sasi që ishte kufizuar gjatë gjithë vitit të kaluar. Kjo rritje e ndjeshme e kufizimit të energjisë së ripërtëritshme tregon sfidat me të cilat përballet sistemi energjetik i ishullit.
Shkaku kryesor është mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve të mjaftueshme për ruajtjen e energjisë. Si vendi i vetëm në Bashkimin Evropian që nuk është i lidhur me një rrjet energjetik tjetër, Qipro operon një sistem të izoluar, të varur kryesisht nga termocentralet me naftë.
Kufizimi në rritje i energjisë ripërtëritshme shkakton rritje të emetimeve të CO₂, pasi prodhimi me burime fosile duhet të zëvendësojë energjinë e pastër të kufizuar. Vetëm për vitin 2025, këto emetime shtesë parashikohen të jenë mbi 100,000 ton CO₂. Po ashtu, kostot për lejet e emisioneve kanë arritur rreth 8 milionë euro, një barrë që paguhet nga konsumatorët.
Ekspertët theksojnë se për të zgjidhur këtë problem është e domosdoshme investimi i shpejtë në kapacitete ruajtjeje të energjisë, modernizim të rrjetit për rritjen e fleksibilitetit dhe politika mbështetëse për integrimin e burimeve ripërtëritshme.
Pa këto masa, Qipro rrezikon të ngadalësojë kalimin drejt energjisë së pastër dhe të përballet me kosto të larta mjedisore dhe ekonomike.
Çfarë është kufizimi i energjisë ripërtëritshme?
Kufizimi i energjisë ripërtëritshme është procesi kur prodhimi i energjisë nga burime të ripërtëritshme sikurse dielli, era apo uji reduktohet ose ndërpritet, edhe pse energjia është në dispozicion, për shkak të kapaciteteve të kufizuara të rrjetit elektrik për të pranuar ose menaxhuar me këtë energji.
Shpesh, kjo ndodh kur ka prodhim të tepërt të energjisë (surplus) që rrjeti nuk mund ta përballojë, ose kur mungojnë teknologjitë për ruajtjen dhe balancimin e saj.
Edhe pse energjia ripërtëritshme është e pastër dhe miqësore me mjedisin, natyra e saj e paqëndrueshme dhe prodhimi i tepërt në disa momente e bëjnë të vështirë integrimin në rrjetet ekzistuese. Kur rrjeti nuk mund të përballojë këtë energji surplus, pjesa e tepërt kufizohet për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e sistemit elektrik.
Prandaj, investimet në teknologji për ruajtjen e energjisë, si bateritë e mëdha, dhe modernizimi i rrjetit janë të domosdoshme për të maksimizuar përdorimin e energjisë ripërtëritshme dhe për të minimizuar humbjet.