Deputetja e betuar e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se Prokuroria Speciale duhet të hetojë gjithë zinxhirin vendimmarrës për energji elektrike, që sipas saj janë Ministria e Ekonomisë, ZRRE, KOSTT, KEK-u, KESCO, KEDS-i, NOA dhe të tjerët.
Ndryshe, ajo thotë se sa herë nuk punon KEK-u, punon NOA dhe EFTja e Vuk Hamoviçit.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë! Kërkojmë transparencë dhe drejtësi. Hetim të menjëhershëm për abuzimet në sektorin e energjisë!”, shtoi tutje Bajrami.
Kjo nuk është hera e parë që deputetja Hykmete Bajrami kërkon hetime në sektorin e energjisë. Më herët, ajo ka ngritur shqetësime të ngjashme duke kërkuar hetim të thellë për keqpërdorimet dhe mungesën e transparencës në këtë sektor jetik për vendin.
Bajrami thekson se vetëm me përgjegjësi dhe zbardhje të plotë të rasteve do të mund të sigurohet një sistem energjetik funksional dhe i drejtë për qytetarët e Kosovës.
Bajrami kërkon hetim të thellë në sektorin energjetik