Home / Lajme / Ndërkombëtare / Greqia rrit ndjeshëm konsumin dhe eksportin e gazit natyror në vitin 2025

Greqia rrit ndjeshëm konsumin dhe eksportin e gazit natyror në vitin 2025

Në gjysmën e parë të vitit 2025, Greqia ka shënuar një rritje prej 12% në konsumin e brendshëm të gazit natyror, duke arritur në 34.59 TWh, ndërsa nëse përfshihen edhe eksportet, kërkesa e përgjithshme është rritur me gati 20%, në 37.45 TWh.

Eksportet përmes interkonektorëve në Sidirokastro dhe Nea Mesimvria janë rritur ndjeshëm, duke arritur 2.86 TWh, nga vetëm 0.44 TWh një vit më parë. Sidirokastro shërben si një nyje kritike për kalimin e gazit nga Azerbajxhani dhe LNG grek drejt Bullgarisë, ndërsa Nea Mesimvria lidhet me tubacionin TAP që shtrihet drejt Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas sektorëve, prodhimi i energjisë elektrike përbën pjesën më të madhe të konsumit – 67% – ose 23.25 TWh, një rritje prej 18% në krahasim me vitin 2024. Rrjeti shpërndarës konsumoi 7.69 TWh (rritje 18.7%), ndërsa sektori industrial dhe stacionet e CNG shënuan rënie me 20.8%, në 3.65 TWh.

Në anën e importit, terminali i Revythoussas ruajti rolin kryesor duke përpunuar 14.62 TWh LNG, një rritje prej 59%, pavarësisht ndërprerjeve për mirëmbajtje. Pjesa dërrmuese e importeve erdhi nga SHBA (11.87 TWh), e ndjekur nga Nigeria, Norvegjia dhe Algjeria.

Gjithashtu, terminali grek shënoi rritje trefishe në ngarkesat me kamionë për rrjete të izoluara dhe klientë industrialë, duke forcuar pozicionin e Greqisë si një pikë kritike e furnizimit rajonal me gaz të lëngshëm.