Tirana dhe Prishtina kanë shënuar një tjetër hap përpara në integrimin rajonal të tregjeve të energjisë, pasi tregu “day-ahead” në bursën ALPEX ka shënuar një rritje prej 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas raportit mujor të publikuar nga ALPEX, në muajin qershor janë tregtuar gjithsej 135.6 gigavat-orë energji elektrike, krahasuar me 103.3 GWh në qershorin e vitit 2024.
Vlera totale e transaksioneve të realizuara arriti në 32.3 milionë euro, duke reflektuar një rritje prej 26% në aspektin financiar. Çmimi mesatar i energjisë në këtë treg ditor ishte 110.5 euro për megavat-orë.
Zona shqiptare zuri një pjesë të konsiderueshme të volumit të tregtuar me 81 GWh, ndërsa ajo kosovare raportoi 89.8 GWh, përfshirë këtu edhe transaksionet ndërkufitare, të cilat përllogariten në mënyrë të dyfishtë për efekt raportimi.
Ky është tregues i rritjes së besimit në platformën ALPEX, që nga fillimi i funksionimit të përbashkët të tregut ditor më 31 janar 2024. Bursa, e krijuar nga OST e Shqipërisë dhe KOSTT i Kosovës, ka për qëllim forcimin e transparencës, eficiencës dhe konkurrueshmërisë në tregun e energjisë në rajon.
Pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, sfidat mbeten. Ekspertët theksojnë nevojën për përmirësimin e mekanizmave balancues, zgjerimin e pjesëmarrjes nga tregtarët ndërkombëtarë dhe modernizimin e mëtejshëm të sistemeve të tregtimit. Megjithatë, rritja dyshifrore e volumit dhe vlerës së transaksioneve tregon qartë se ALPEX po konsolidohet si një platformë kyçe për tregtinë e energjisë në Evropën Juglindore.