Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj paralajmërimit të fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në të cilin thuhet se të gjitha bizneset që nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar do të mbesin pa energji elektrike pas datës 30 korrik.
Ky veprim, sipas AKB-së, është i nxituar, i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë dhe të të drejtave të konsumatorëve.
Në një deklaratë publike, AKB e cilëson energjinë elektrike si shërbim publik jetik dhe jo mall luksi, duke theksuar se asnjë institucion nuk ka të drejtë ta përdorë atë si mjet presioni politik apo ekonomik ndaj bizneseve.
Organizata thekson se bizneset janë shtylla e zhvillimit ekonomik dhe krijues të vendeve të punës, prandaj nuk duhet të përballen me kërcënime për ndërprerje të furnizimit, veçanërisht jo në një periudhë tranzicioni të tregut të energjisë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se është e pafalshme që në vend të mbështetjes dhe zgjidhjeve konkrete, bizneset kosovare po përballen me frikësim nga vetë institucionet që kanë për obligim ligjor të garantojnë furnizim të qëndrueshëm dhe të rregullt me energji.
Ai kërkoi që KEK-u dhe ZRRE-ja të ndalin menjëherë retorikën kërcënuese, të ofrojnë informacion të plotë dhe të qasshëm mbi të gjitha procedurat dhe mundësitë për furnizim, dhe të shqyrtojnë mundësinë për shtyrjen e afatit të caktuar, derisa të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për të gjitha bizneset e prekura.
Në përfundim të deklaratës, Shahini theksoi se Aleanca Kosovare e Bizneseve do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për të mbrojtur interesin e prodhuesve dhe të gjithë komunitetit të biznesit në Kosovë, duke theksuar se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik nën presion, kërcënim dhe ndërprerje të energjisë – por vetëm humbje për të gjithë.