KESCO ka nisur një fushatë të re informuese dhe ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për konsumatorët komercialë që operojnë në tregun e hapur të energjisë.
Përmes pikës shërbyese “KESCO Premium” në Prishtinë, kompania fton të gjithë bizneset që kërkojnë furnizim me energji elektrike jashtë sistemit të rregulluar të drejtohen për informim dhe marrëveshje furnizimi.
Konsumatorët e derregulluar, pra ata që kanë dalë në tregun e liberalizuar, mund të vizitojnë KESCO Premium në rrugën Fehmi Agani, në afërsi të njohur si “Kafet e Vogla”, ku përfaqësuesit Doruntina dhe Argjendi janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje, këshillim dhe shërbime të personalizuara për nevojat e tyre.
Fushata vjen në një moment kyç për tregun e energjisë në Kosovë, ku bizneset janë të obliguara të zgjedhin vetë furnizuesin në treg të hapur dhe të largohen nga furnizimi universal. Ndërkohë që afati për përfundimin e furnizimit të përkohshëm nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit po afrohet, KESCO duket se po synon të tërheqë konsumatorët që ende nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë operator tjetër të licencuar.
Me anë të qasjes së drejtpërdrejtë dhe komunikimit personal, KESCO po pozicionohet si një nga aktorët aktivë në këtë fazë tranzicioni, ndonëse deri tani nuk ka publikuar çmime konkrete për shërbimet që ofron për bizneset në tregun e hapur.