Home / Lajme / Kosova / Peci: “Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Uashingtonit, Kosova sot do të ishte nyje e rëndësishme energjetike dhe infrastrukturore e rajonit”

Peci: “Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Uashingtonit, Kosova sot do të ishte nyje e rëndësishme energjetike dhe infrastrukturore e rajonit”

Lulzim Peci, ish-ambasador i Kosovës në Suedi dhe aktualisht drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, ka ngritur kritika të forta ndaj Qeverisë së Kosovës për moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar në vitin 2020.

Përmes një reagimi publik, Peci ka vënë në dukje se ky moszbatim ka sjellë pasoja të rënda strategjike dhe gjeopolitike për vendin.

“Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Washingtonit, sot Kosova do kishte gazin dhe do të bëhej nyje e shpërndarjes së tij në Shqipërinë veriore, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe nyje shumë e rëndësishme e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore e rajonit!”, ka shkruar Peci.

Ai ka kujtuar se në vitin 2021, zyrtarë të Qeverisë Kurti e përshkruanin gazsjellësin si “gaz rus”, megjithëse furnizimi në masë të madhe do të vinte në formë të lëngshme nga Shtetet e Bashkuara përmes Greqisë.

Peci shton se zbatimi i marrëveshjes mund të kishte sjellë deri më tani edhe përfundimin e linjës hekurudhore Prishtinë–Durrës dhe mbylljen e çështjes së menaxhimit të ujërave në Liqenin e Ujmanit me Serbinë.

“Dokumentin e fizibilitetit të hartuar nga SHBA-të për këtë çështje as që e shqyrtoi Qeveria e Kosovës – me demek e hodhi në shportë!”, theksoi ai.

Sipas Peci-t, është e domosdoshme që të bëhet një vlerësim zyrtar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. “Ose në të vërtetë nuk ka nevojë fare të bëhet, pasi nga qielli mund të shihet se ajo nuk është zbatuar!”, shtoi ai me tone të ashpra.

Në përfundim, Peci e cilësoi moszbatimin e kësaj marrëveshjeje si “gabimin më të madh dhe me pasoja afatgjata gjeopolitike për Kosovën” nga Qeveria aktuale.