Gjykata Komerciale ka pezulluar përkohësisht vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të kaluar në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike edhe për pesë kompani të tjera.
Lajmi është konfirmuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila ka bërë të ditur se paditë individuale të këtyre kompanive janë trajtuar dhe janë pranuar nga gjykata si të bazuara në ligj.
Sipas OEK-ut, sistemi aktual juridik në Kosovë nuk e lejon paraqitjen e padive kolektive, prandaj kompanitë që kanë zgjedhur të ndjekin rrugën individuale po arrijnë të mbrojnë të drejtën e tyre në mënyrë të suksesshme përmes gjykatës.
Me këtë vendim të fundit, numri i ndërmarrjeve që kanë siguruar pezullim ndaj kalimit të detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë po rritet.
Oda ka theksuar se kjo situatë po konfirmon shqetësimet që bizneset kanë ngritur prej kohësh ndaj mënyrës së zbatimit të reformës në tregun energjetik.
Në deklaratën e saj, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për daljen “e dhunshme” në tregun e lirë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë e njëanshme mund të dëmtojë konkurrencën, stabilitetin e bizneseve, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë ekonominë e vendit.
Debati rreth liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë ka marrë vrull pas raportimeve të shumta për çmime të rritura, mungesë të ofertave të qarta dhe paditë e njëpasnjëshme që po dorëzohen në organet e drejtësisë.
Me vendimet e fundit gjyqësore, mbetet për t’u parë nëse ZRrE do të rishikojë qasjen e saj dhe të hapë rrugë për një reformë më të koordinuar dhe më të pranueshme për sektorin privat.