Home / Lajme / Energjia konvencionale / OSHP jep vendim pozitiv për projektin në njësinë A3 – KEK nis me fazën e radhës të prokurimit

OSHP jep vendim pozitiv për projektin në njësinë A3 – KEK nis me fazën e radhës të prokurimit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka konfirmuar se projekti strategjik për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin “Kosova A” do të vazhdojë pa pengesa, pas një vendimi pozitiv nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i marrë më 10 korrik 2025.

OSHP ka refuzuar ankesën e operatorit ekonomik “Tra Projects”, duke e shpallur atë të palejuar dhe duke rikonfirmuar ligjshmërinë e veprimeve të KEK-ut në procedurën prokuruese me numër KEK-25-58-5-1-4. Ky vendim i hap rrugën njërit prej projekteve më të rëndësishme të dekadës në sektorin energjetik të vendit.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi KEK pezulloi procesin e tenderimit më 4 korrik 2025, pas dorëzimit të një ankese që ngrinte shqetësime për kritere të konsideruara diskriminuese nga operatorë vendorë. Ankesa kishte të bënte me përjashtimin e mundshëm të kompanive që nuk plotësonin kritere shumë specifike teknike dhe financiare, që sipas operatorit ankues, favorizonin kompani të mëdha ndërkombëtare, raporton Energy Monitor.

KEK-u e pezullon megatenderin, pas ankesës për kritere diskriminuese

Pezullimi i procesit, vetëm një ditë para afatit zyrtar për dorëzimin e ofertave, shkaktoi reagime të menjëhershme publike dhe politike.

Opozita shprehu shqetësime për transparencën e procesit dhe për ndikimet e mundshme politike në tenderë me vlerë të lartë, ndërsa Ministria e Financave dhe KEK i cilësuan akuzat si të pabaza, duke theksuar se vendimi për pezullim kishte ardhur në përputhje me procedurat ligjore që parashohin pezullim të përkohshëm të procesit kur paraqitet ankesë në OSHP.

Tani, me vendimin e OSHP-së procesi i prokurimit do të rifillojë menjëherë. KEK ka njoftuar se hapja zyrtare e aplikimeve nga operatorët ekonomikë do të bëhet të enjten, më 17 korrik 2025, në orën 13:00, në sallën e takimeve të Termocentralit Kosova B, mëson Energy Monitor.

Seanca do të transmetohet drejtpërdrejt edhe në rrjetet zyrtare sociale të KEK-ut, si pjesë e angazhimit për transparencë dhe përfshirje publike.

Projekti për rehabilitimin e njësisë A3 është hartuar në bashkëpunim me konsulentë të USAID dhe konsiderohet thelbësor për garantimin e kapaciteteve prodhuese në një periudhë tranzicioni energjetik, si dhe për modernizimin e infrastrukturës së vjetruar të termocentralit “Kosova A”.

KEK ka theksuar përkushtimin e saj për të ndjekur me përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe për të siguruar një proces të hapur dhe të drejtë konkurues.

Me këtë projekt, korporata synon të rrisë sigurinë energjetike dhe të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe më modern për të gjithë qytetarët e Kosovës.

/Energy Monitor