Home / Lajme / Ndërkombëtare / Trump do të njoftojë një investim prej 70 miliardë dollarësh në inteligjencën artificiale dhe energjinë

Trump do të njoftojë një investim prej 70 miliardë dollarësh në inteligjencën artificiale dhe energjinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të njoftojë nesër investime prej 70 miliardë dollarësh në inteligjencën artificiale (IA) dhe energji, si pjesë e përpjekjes së fundit të Shtëpisë së Bardhë për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjive të reja, raportoi Bloomberg, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të administratës Trump.

Sipas të njëjtit burim, Trump pritet të detajojë iniciativat e reja gjatë një eventi pranë Pitsburgut, Pensilvani.

Investimet nga një numër kompanish do të përfshijnë qendra të reja të të dhënave, rritje të prodhimit të energjisë dhe modernizim të infrastrukturës, si dhe programe trajnimi për inteligjencën artificiale, shtoi zyrtari.

Trump do të shoqërohet nga senatori republikan David McCormick, i cili po pret Samitin e Energjisë dhe Inovacionit të Pensilvanisë në Universitetin Carnegie Mellon.

Në takim pritet të marrin pjesë liderë në sektorët e inteligjencës artificiale dhe energjisë, përfshirë deri në 60 drejtorë ekzekutivë kompanish.

Midis tyre do të jenë drejtuesit ekzekutivë të BlackRock, Larry Fink dhe drejtori ekzekutiv i Palantir Technologies, Alex Karp, si dhe drejtori ekzekutiv i Exxon Mobil, Darren Woods dhe drejtori ekzekutiv i Chevron Corporation, Mike Wirth, shtoi zyrtari, sipas Bloomberg.

Siç njoftoi zëdhënësi i senatorit McCormick, John Gray i Blackstone do të njoftojë një projekt prej 25 miliardë dollarësh për zhvillimin e qendrës së të dhënave dhe infrastrukturës energjetike, si dhe krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët për të rritur prodhimin e energjisë, e cila duhet të krijojë 6.000 vende pune në ndërtim çdo vit, si dhe 3.000 vende pune të përhershme.

Sipas Bloomberg, njoftimi i këtyre investimeve do të shënojë hapin e fundit të Trump drejt përmbushjes së premtimit të tij për të siguruar që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol udhëheqës në inteligjencën artificiale.

Më herët këtë vit, ai njoftoi 100 miliardë dollarë investime në qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale nga SoftBank Group, OpenAI dhe Oracle.

Lëvizjet e administratës synojnë t’i mbajnë Shtetet e Bashkuara përpara Kinës në garën për të zhvilluar inteligjencën artificiale, sipas Bloomberg.

Trump dhe zyrtarë të tjerë theksuan gjithashtu rëndësinë e arritjes së një prioriteti tjetër, që është sigurimi i energjisë elektrike të mjaftueshme për qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale.

Deri në vitin 2035, këto qendra parashikohet të mbulojnë 8,6 përqind të kërkesës totale për energji elektrike në Shtetet e Bashkuara, dyfishi i 3,5 përqind që është sot, sipas Bloomberg.

/Photo by History in HD on Unsplash