Në 15 shkolla dhe një institucion parashkollor në Kosovë po zhvillohen punime intensive për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe energjetike, me qëllim që nxënësit të kthehen në ambiente më komode dhe efikase gjatë sezonit të ardhshëm shkollor.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë po zbaton masa të ndryshme të efiçiencës në këto objekte, të mbështetura nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndërhyrjet përfshijnë izolimin e jashtëm të mureve, izolimin e kulmeve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme, përmirësimin e sistemeve të ngrohjes dhe modernizimin e ndriçimit.
Këto masa synojnë jo vetëm përmirësimin e komoditetit për nxënësit dhe stafin, por edhe uljen e konsumit të energjisë dhe reduktimin e ndikimit mjedisor në afatgjatë. Përfitimet pritet të jenë të dukshme qysh nga fillimi i vjeshtës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në cilësinë e mjedisit të të nxënit.
FKEE ka theksuar përkushtimin që çdo projekt të realizohet sipas standardeve më të larta teknike dhe profesionale, duke kontribuar në mirëqenien e komunitetit dhe mbrojtjen e ambientit. Projekti është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të përmirësuar efiçiencën energjetike në objektet publike në të gjithë vendin.