Zv/kryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po merr pjesë në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që mbahet në Athinë.
Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Balluku tha se Traktati i Komunitetit të Energjisë, u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha vendet partnere, teksa vuri në dukje se në këto 5 vitet e fundit, TKE për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes.
”Në takimin që po mbahet në Athinë, do të bisedojmë për të ardhmen e këtij Traktati, por nga ana tjetër edhe për të ardhmen e të gjithë sektorit energjetik në Ballkanin Perëndimor”, teksa shprehu besimin se detyra që ka kryer deri më tash Sekretariati i Energjisë do të jetë po aq e rëndësishme edhe në të ardhmen.
Balluku theksoi se, ”sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”.
Mbi të gjitha, nënvizoi ajo, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor. Ajo tha se Shqipëria synon të zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme.
”Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbër”, tha Balluku.
Përmes një statusi konciz ajo shkruan në lidhje me këtë Samit: “Në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, organizim i cili prej 20 vitesh është kthyer në një udhërrëfyes të rëndësishëm për të gjitha vendet anëtare. Veçanërisht për Shqipërinë, në këto vitet e fundit ka qenë një partner kyç, me të cilin po bashkëpunojmë edhe më ngushtësisht në rrugën e përafrimit të plotë të sektorit me ligjet dhe kriteret e Bashkimit Europian. Edhe në këtë takim të mbajtur së fundmi diskutuam gjerësisht mbi sfidat dhe të ardhmen e sektorit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë, duke theksuar nevojën edhe për më shumë politikat dhe projekte të përbashkëta”