Kosova po përballet me një transformim të shpejtë në mënyrën se si ngrohen shtëpitë, një ndryshim që po reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e konsumit të energjisë elektrike nga amvisëritë – dhe që po ushtron presion të madh mbi sistemin elektroenergjetik, sidomos në muajt e dimrit.
Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje dramatike të konsumit. Në qershor të vitit 2016, amvisëritë konsumonin rreth 160 GWh energji elektrike, ndërsa në dhjetor të atij viti kjo sasi u rrit në 239 GWh – një rritje prej rreth 50%, e natyrshme për shkak të nevojës për ngrohje. Por në vitin 2024, rritja është shumë më e mprehtë: nga 182 GWh në qershor në plot 415 GWh në dhjetor, një kërcim prej 128%, që sinjalizon kalimin masiv nga ngrohja me dru te përdorimi i energjisë elektrike.
Ky ndryshim është i konfirmuar edhe nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Në vitin 2011, mbi 252 mijë familje ngroheshin me shporeta – në vitin 2024, kjo shifër ka rënë në 157 mijë. Në të njëjtën kohë, ngrohja qendrore e instaluar brenda banesës është rritur nga 16 mijë në 95 mijë njësi. Gjithashtu është vërejtur rritje e përdorimit të ngrohësve elektrikë të lëvizshëm dhe futja e inverterëve si burim ngrohjeje, me mbi 14 mijë njësi të regjistruara.
Ky kalim drejt energjisë elektrike si burim primar i ngrohjes nuk është i panjohur në rajon, por në rastin e Kosovës vjen në një kohë kur kapacitetet e sistemit nuk janë rritur në të njëjtën masë. Furnizimi gjatë dimrit, nëse trendet vazhdojnë, mund të jetë i pasigurt dhe me pasoja për gjithë sektorin energjetik.
Ekspertët paralajmërojnë se, pa masa urgjente për të përmirësuar efiçiencën energjetike, për të promovuar alternativa të qëndrueshme të ngrohjes dhe për të investuar në modernizimin e rrjetit, siguria energjetike e vendit mund të vihet në pikëpyetje. Me dimrin që po afrohet, ky është një alarm që nuk duhet injoruar.